Kishim nderin të mirëpresim në Maqedoninë e Veriut Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave të Republikës së Shqipërisë, z. Besmir Beja, në një takim kushtuar thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy administratave doganore, njoftoi zv/drejtori i Doganave të RMV, Mustafë Dauti.

“Në fokus të bisedimeve ishte zbatimi i sistemit One Stop Shop në të gjitha pikat e përbashkëta kufitare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Po ndërmarrim hapa konkretë për shtrirjen e këtij sistemi në të gjitha pikat kufitare, një zhvillim me rëndësi të veçantë që do të mundësojë procedura më të shpejta, ulje të kohës së pritjes, lehtësim të qarkullimit të qytetarëve si dhe rritje të efikasitetit të kontrolleve kufitare”, njoftoi Dauti.

Ai thekson se ky është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të procedurave doganore, forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe krijimit të një kufiri më efikas, më të sigurt dhe më funksional, në përputhje me standardet evropiane.

“Shpreh mirënjohjen time për Misionin e OSBE-së për organizimin e këtij takimi dhe për mbështetjen e vazhdueshme në avancimin e bashkëpunimit rajonal dhe modernizimin e administratave doganore. Kontributi i OSBE-së në promovimin e dialogut institucional dhe zbatimin e reformave konkrete është një vlerë e shtuar për realizimin me sukses të këtij projekti.

" "

Jam i bindur se me përkushtimin e përbashkët këtë projekt do ta realizojmë me sukses”, përfundon Dauti.

sqShqip