Pasi të gjithë po flasin për profesor Shasivarin, përfundimisht një person me vlera po vihet në krye të një institucioni!
Tani, deklarata juaj, ministër, sigurisht duket e pamundur, pasi janë investuar dekada që të humbet besimi në drejtësi… ndërsa për t’u rikthyer ai do të duhen shekuj.
Por ajo që do të kisha kërkuar unë, dhe besoj edhe të gjithë qytetarët, është kjo: edhe pse si ministër nuk keni kompetencë ligjore për ta rikthyer Rastin Alfa në rigjykim, keni mekanizma për të kontrolluar dhe mbikëqyrur funksionimin e institucioneve. Ne kemi prova të reja, kemi bazë ligjore për hapjen e procedurës dhe një ekspertizë të re, por deri më tani ka munguar vullneti i vërtetë, e jemi ushqyer me gënjeshtra!
Unë, ashtu si edhe të gjithë ata që ju njohin, besojmë në profesionalizmin tuaj dhe shpresojmë që Rastin Alfa ta trajtoni si një rast të veçantë. Ju lutemi, kërkojmë vetëm drejtësi!
Një i pafajshëm po vuan tashmë 18 vite burg, ndërsa tjetri nuk jeton më mes nesh… ndërroi jetë duke pritur drejtësinë.
Ministër, nga puna që unë bëj dhe duke u përballur çdo ditë me padrejtësinë, me abuzimet e gjykatësve dhe prokurorëve të flasësh për drejtësi sot mund të të sjellë vetëm një buzëqeshje ironike në fytyrë, asgjë më shumë.
Megjithatë, ne vazhdojmë të besojmë në një fije shprese kur njerëz me vlera marrin përgjegjësi të rëndësishme. Në këtë rast, ai person jeni Ju.

