Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se tashmë i ka emrat e kandidatëve për ministra nga koalicioni VLEN dhe ZNAM, duke theksuar se ata janë të pranueshëm për të, por nuk dëshiron t’i bëjë publikë para se këtë ta bëjnë vetë partitë.

“Po, i kam emrat e ministrave të VLEN-it dhe ZNAM-it. Do t’ua lë atyre ti njoftojnë, për mua janë në rregull ato emra që i kanë propozuar”, tha Mickoski.

Siç shkruan portali Lideri.mk, në moment të fundit ka dështuar shkëmbimi i dy ministrive mes VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së. Për shkak të presionit nga opinionit dhe akuzave se po heq dorë plotësisht nga politika e jashtme, VLEN ka vendosur ta mbajë resorin e eurointegrimeve, mr çka nuk është bë shkëmbimi i paralajmëruar me Ministrinë për sport dhe rini.

Në këtë valë ndryshimesh përfshihen gjithsej 7 ministri, ku kemi lëvizje të dikastereve, emërime të reja dhe ndryshim të strukturës ministrore: shtohet një ministër pa portofol nga komuniteti rom, ndërsa shfuqizohet plotësisht një dikaster ekzistues (resori për qeverisje të mirë)

Me këto ndryshime, numri i përgjithshëm i anëtarëve të kabinetit qeveritar mbetet i njëjtë, me gjithsej 24 anëtarë (Kryeministri dhe 23 ministra).

Përbërja e re ministrore e ndarë sipas partnerëve të koalicionit është si vijon:

VMRO-DPMNE dhe partneret e saj

Partia udhëheqëse bën rokada të rëndësishme në sektorët e shëndetësisë dhe politikës sociale, si dhe propozon një ministër të ri pa portofol:
Sasho Klekovski – Propozohet për Ministër të Shëndetësisë (vjen nga pozita e drejtorit të Fondit për Sigurim Shëndetësor – FSSH).

Gjoko Velkovski – Propozohet për Ministër të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë (promovohet nga pozita e zëvendësministrit).

Ivan Stoilkoviç (Partia Demokrate e Serbëve) – Kalon si Ministër i Vetëqeverisjes Lokale (deri më tani mbante postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit për Sistem Politik).

Exhjan Demir – Propozohet si Ministër pa portofol, përgjegjës për integrimin e romëve (ministër i shtuar nga komuniteti rom).

VLEN

Partneri shqiptar i koalicionit do të marrë drejtimin e tri ministrive kyçe, përfshirë Drejtësinë dhe Sistemin Politik:

Jeton Shasivari (Profesor universitar) – Propozohet jozyrtarisht për Ministër të Drejtësisë.

Sedat Sulejmani – Propozohet për Ministër të Kulturës dhe Turizmit (vjen nga pozita e zëvendësministrit).

Agon Ferati – Propozohet për Zëvendëskryeministër dhe Ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.

Lëvizja ZNAM

Partia ZNAM zgjeron ndikimin e saj duke marrë një dikaster të ri strategjik, ndërsa mbron pozicionin në administratë:

Borçe Serafimovski (Nënkryetar i partisë) – Propozohet për Ministër të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (vjen nga pozita e sekretarit shtetëror në këtë ministri).

Goran Minçev – Mbetet në krye të Ministrisë së Administratës Publike.

Me rikonstruimin shfuqizohet plotësisht Ministria (resori) për Qeverisje të Mirë, vend i mbetur i zbrazët pas dorëheqjes së ministrit Arben Fetai. Ky dikaster kalon drejtpërdrejt nën ingerencat e Kabinetit të Kryeministrit. Mickoski njoftoi se Partia Demokrate e Turqve (PDT) hyn zyrtarisht në koalicionin qeverisës dhe do të marrë një ministër pa portofol./Lideri.mk

sqShqip