*Afrim Gashi nga Samiti Parlamentar i NATO-s në Stamboll: Maqedonia e Veriut mbetet aleate e besueshme*
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka marrë pjesë në Samitin Parlamentar të NATO-s që po mbahet në Stamboll, ku ka rikonfirmuar përkushtimin e vendit si një aleate e besueshme e Aleancës.
Përmes një statusi të publikuar në rrjetet sociale, Gashi theksoi se uniteti transatlantik mbetet garancia më e fortë për sigurinë e përbashkët, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve anëtare të NATO-s, si dhe investimeve në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
“Në Samitin Parlamentar të NATO-s në Istanbul rikonfirmova përkushtimin e Maqedonisë së Veriut si një aleate e besueshme, duke theksuar se uniteti transatlantik mbetet garancia më e fortë për sigurinë tonë të përbashkët. Nënvizova gjithashtu rëndësinë e investimeve në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën. Përmes dialogut dhe bashkëpunimit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, vendi ynë do të vazhdojë të japë kontribut aktiv për paqen, sigurinë dhe stabilitetin euroatlantik”, ka shkruar Gashi.
Samiti Parlamentar i NATO-s ka mbledhur në Stamboll përfaqësues të parlamenteve të vendeve anëtare, të cilët po diskutojnë për sfidat aktuale të sigurisë, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet aleatëve dhe zhvillimet e fundit në rajonin euroatlantik.

