Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, në një video-mesazh kushtuar Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, ka theksuar se pas më shumë se dy dekadash kjo çështje po merr zgjidhje sistemore përmes një ligji që garanton meritën, përgjegjësinë dhe mbikëqyrjen institucionale.

“Për 24 vite përfaqësimi i drejtë u shndërrua në përqindje, lista partiake dhe instrument varësie. Për 24 muaj kjo çështje me VLEN-in në qeveri po vendoset si ligj me rregulla, meritë, mbikëqyrje dhe përgjegjësi institucionale”, tha Sali.

Ai theksoi se përfaqësimi i drejtë nuk duhet të varet nga interesat politike, por të mbështetet në standarde të qarta ligjore.

“Përfaqësimi i drejtë nuk është lëmoshë partiake. Është një e drejtë që duhet të mbrohet me ligj dhe cilësi, e jo me një telefonatë nga shtabi partiak. Për vite me radhë shqiptarët u reduktuan në numra që dikush i aktivizonte para zgjedhjeve. VLEN e vendos çështjen në kornizë ligjore, kushtetuese dhe evropiane. Qëllimi është i qartë: përfaqësim me cilësi, meritë dhe përgjegjësi”, deklaroi zëvendëskryeministri i parë.

Në fund, Sali theksoi se ajo që nuk u arrit për 24 vite, sipas tij, po realizohet brenda 24 muajve përmes një zgjidhjeje sistemore që garanton mbrojtjen afatgjatë të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

sqShqip