Profesoresha Imrane Morina ka reaguar ndaj komenteve dhe shkrimeve ofenduese të disa analistëve nga Kosova drejtuar shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, duke bërë thirrje për unitet kombëtar dhe respekt të ndërsjellë mes shqiptarëve kudo që jetojnë.
Në një postim publik, Morina shprehet se nuk e kupton “gjithë këtë mllef ndaj shqiptarëve të Maqedonisë”, duke theksuar se askush nuk duhet të kërkojë arsye për përçarje mes shqiptarëve.
Ajo përdor një metaforë të fortë, duke krahasuar ata që sulmojnë shqiptarët e Maqedonisë me “të verbërit që, sapo u kthehen sytë, të parën gjë që gjuajnë është bastuni që i ka ndihmuar të ecin”.
Morina thekson se shqiptarët duhet të jenë të lirë të mendojnë ndryshe dhe të mbështesin këdo që dëshirojnë politikisht, pasi mbi të gjitha i bashkon identiteti kombëtar.
“Kur gjakoste Kosova, na therte zemra në Maqedoni e në Shqipëri. Kur u gjakosëm ne, dhembte edhe zemra juaj”, shkruan ajo, duke rikujtuar solidaritetin historik mes shqiptarëve.
Në reagimin e saj, profesoresha ndalet edhe te deklaratat e një profesori nga Kosova, emrin e të cilit thotë se nuk dëshiron ta përmendë, duke vlerësuar se shqiptarët e Maqedonisë kanë ditur të ruajnë në harmoni identitetin kombëtar dhe besimin fetar, pa i përdorur ato si mjete përçarjeje.
“Shqiptarët e Maqedonisë janë pikërisht ata shqiptarë që kanë ditur më së miri ta vlerësojnë edhe fenë, edhe kombin, pa e zvogëluar vlerën e asnjërës”, thekson Morina.
Në fund të reagimit, ajo dërgon një mesazh kundër ndasive dhe konflikteve të nxitura nga interesat politike, duke nënvizuar se pushteti është i përkohshëm, ndërsa shqiptarët dhe lidhjet e tyre kombëtare mbeten të përhershme.
“Pushtetet vijnë e shkojnë. Shqiptarët gjithmonë do të mbeten”, përfundon Morina.

