Dikur milioner, tani i pastrehë!
Disa të pastrehë dalin, të tjerë hyjnë. Kështu duket autobusi numër 18 të mërkurën dhe të premten kur ndahet ushqim në pikën për të pastrehët në Momin Potok, madje edhe kur bie shi. Rreth 200 njerëz janë shfrytëzues të vakteve. Mes tyre është edhe Tair Daut, ish-biznesmen, i cili pohon se në bixhoz i ka humbur 5 milionë dollarë. Tash punon si berberi që i qeth të pastrehët që vijnë këtu, ndërsa merr 300 denarë në muaj.
“Isha biznesmen, kisha kompani të vetë për materiale elektrike, fitoja shumë mirë. Është gabimi im që jam në gjendje të këtillë. Disa vese, më saktësisht për shkak të bixhozit jam në këtë gjendje, dikur kisha shumë para, si mallkimi hebrenj “të kesh para dhe pastaj të mos kesh”, është diçka shumë e vështirë”, u shpreh Tair Daut.
Por, si të mbijetohet me dy vakte në javë, që nuk mjaftojnë as për një ditë?!
“Nuk mjaftojnë”.
TV21: Si ia dilni ditët e tjerë?
“Si t’ia dalim, nëse ka ndonjë donacion tjetër. Iu falënderoj njerëzve humanë të cilët kanë vullnet për të ndihmuar, megjithatë ata janë pak në numër”.
“Kjo nuk është zgjidhje afatgjate për këta njerëz. Kam mundësi çdo ditë të bisedoj me të gjithë që jemi në rrugë, problemi më i madh është punësimi. Kërkojmë ndihmë nga institucionet e RMV-së”.
Sipas Entit për Statistika, 450 mijë qytetarë në Maqedoni me vështirësi sigurojnë ushqim. Me pandeminë numri u rrit edhe më shumë dhe mesatarisht kanë nga një vakt në ditë. Nga ana tjetër, në nivel vjetor hidhen rreth 12 tonë ushqim. Kjo do të thotë se me këtë sasi mund të ushqehen rreth 26 mijë qytetarë me nga tre vakte në ditë.
“Atë që e dimë ne nga informacionet që janë të qasshme publikisht nga ana e Programit botëror për ushqim të OKB-së, rreth 690 milionë njerëz vuajnë nga uria kronike në mbarë botën. Përveç kësaj, vitin e kaluar janë goditur 130 milionë njerëz shtesë, për shkak të pandemisë me Kovid”, u shpreh Aleksandra Ristovski.
16 tetori është dita botërore kundër urisë, e cila në vendin tonë do të shënohet me një sërë aksionesh humanitare me qëllim që të sigurohet ushqim për 10 mijë familje në rrezik social./TV21