Me shumë kënaqësi prita në zyrë futbollistët e rinj të KF Albarsa, të shoqëruar nga trajneri Meriton Berisha, të cilët me paraqitjet e tyre të shkëlqyera janë shpallur kampionë të Ligës së Futbollit të RMV-së në kategorinë U13, njoftoi kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
“Ky sukses është rezultat i punës, përkushtimit dhe talentit që këta fëmijë po e shfaqin në fushën e futbollit. Njëkohësisht, kjo arritje tregon se Çairi vazhdon të jetë vatër e sportit dhe e gjeneratave që premtojnë shumë për të ardhmen.
Urime kampionëve të rinj, trajnerëve dhe prindërve që qëndrojnë pas këtij rrugëtimi. Ju dëshiroj shumë suksese dhe fitore të reja në rrugëtimin tuaj sportiv!”, ka shkruar Mexhiti.

