Pendarovski-Lofven: Mbështetje nga Suedia për fillimin negociatave me BE-në
Konteksti aktual në lidhje me fillimin e pritur të negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian ishte tema kryesore e bisedës në takimin e sotëm në Malme ndërmjet presidentit Stevo Pendarovski dhe kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Stefan Lofven, nikoqir i Forumit ndërkombëtar “REMEMBER – REACT”. (“Mbaj mend – Reago!”)
Duke shprehur falënderim për mbështetjen e vazhdueshme dhe konzistente nga Suedia për integrimin tonë evropian, presidenti Pendarovski e theksoi përkushtimin e shtetit ndaj procesit reformues, veçanërisht në fushën e qeverisjes të së drejtës dhe e përsëriti qëndrimin se anulimi i mëtutjeshëm i procesit të zgjerimit do të ketë pasoja negative afatgjate për zhvillimin dhe stabilitetin e rajonit. Në atë drejtim, informojnë nga kabineti i Pendarovskit, presidenti shfaqi pritje për vazhdim të mbështetjes suedeze në rrugën tonë eurointegruese.
Pendarovski theksoi se Maqedonia e Veriut lartë e vlerëson mbështetjen e vazhdueshme nga Suedia për përforcim të kapaciteteve të institucioneve maqedonase, veçanërisht në fushën e demokracisë, qeverisjes të së drejtës dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor. Njëkohësisht, shprehu falënderim për mbështetjen që shteti ynë e merr përmes programeve të Agjencisë suedeze për bashkëpunim ndërkombëtar dhe zhvillim (SIDA) në shumë fusha.
Në takimin, që u mbajt në suaza të vizitës së punës në Mbretërinë e Bashkuar, presidenti Pendarovski dhe kryeministri Lofven diskutuan edhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet të dy shteteve me ç’rast vlerësuan se janë përkushtuar në dinamizimin e dialogut politik.