Siguria dhe stabiliteti i rajonit nuk janë të garantuara, ato kërkojnë investime të vazhdueshme në institucionet demokratike, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal, porositi sot yëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, në hapjen e forumit të sigurisë në Shkup “Arkitektët e stabilitetit: identiteti i sigurisë së Ballkanit Perëndimor”.
Sipas tij, rajoni përballet me një mjedis kompleks sigurie, në të cilin mbivendosen kërcënimet tradicionale dhe të reja, konfliktet e armatosura, rivalitetet gjeopolitike, sulmet kibernetike, dezinformimi, pasiguria energjetike dhe dëmtimi teknologjik.
Sali përsëriti se integrimi evropian mbetet qëllimi strategjik i Maqedonisë së Veriut dhe garancia më e fortë për stabilitet afatgjatë.
“Bashkimi Evropian nuk është vetëm një projekt politik dhe ekonomik, por një bashkësi e bazuar në vlera demokratike, solidaritet dhe përgjegjësi kolektive”, tha ai, duke theksuar se përparimi drejt BE-së përforcon institucionet dhe rrit qëndrueshmërinë në shoqëri.
Sali vlerësoi se vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me sfida të shumta të përbashkëta dhe se vetëm përmes bashkëpunimit rajonal mund të përforcohet rezistenca kolektive.
Forumi i Sigurisë në Shkup, shtoi Sali, përfaqëson një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e ideve, zhvillimin e qasjeve inovative dhe ndërtimin e rrjeteve të besimit, të cilat janë të nevojshme për menaxhimin efektiv të krizave.
Julijan Çifu nga Qendra për parandalimin e konflikteve dhe paralajmërimin e hershëm nga Rumania vlerësoi se bashkëpunimi rajonal dhe mbyllja e mosmarrëveshjeve të vjetra janë thelbësore për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kushtet e ndryshimeve të shpejta gjeopolitike dhe konkurrencës në rritje midis fuqive të mëdha.
Sipas tij, vizitat dhe konferencat në rajon janë të rëndësishme për t’i ndjekur, siç tha, evolucionin e grupimit dhe kapacitetin e vendeve për të krijuar kohezion dhe një qasje të përbashkët ndaj sfidave të sigurisë.
Qasja e përbashkët në nivelin e Ballkanit Perëndimor mund t’u japë një shtysë të re zgjidhjeve që do të ishin më të pranueshme dhe më të lehta për t’u menaxhuar. Çifu paralajmëroi se bota po ecën përpara shumë shpejt, ndërsa teknologjia dhe blloqet e mëdha ekonomike do të vendosin rregullat në shekullin e 21-të.
Lidhur me bllokadën e Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria, ai vlerësoi se ajo nuk përbën rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe se negociatat e drejtpërdrejta, fleksibiliteti dhe mbështetja nga Komisioni Evropian do të jenë të mjaftueshme për të kapërcyer mosmarrëveshjen.
Ambasadorja e Izraelit në Maqedoninë e Veriut, Vivijan Ajzenzh, potencoi se sulmi i 7 tetorit të vitit 2023 solli ndryshime themelore në strategjitë e sigurisë së Izraelit dhe në perceptimin e kërcënimeve rajonale.
Në fjalimin e tij në Forumin e Sigurisë në Shkup, Ajzenzh theksoi se një nga mësimet kryesore është se “askush nuk duhet ta gjykojë kurrë një kundërshtar sipas vlerave të veta”, duke theksuar se aktorët mashtrues veprojnë bazuar në sistemet e tyre të besimit.
Ajo shtoi se Izraeli ka ndryshuar doktrinën e tij duke vlerësuar kërcënimet sipas kapacitetit të tyre, jo qëllimeve të tyre të supozuara, duke vënë në dukje se vendi aktualisht po përballet me fronte të shumta aktive.
Ambasadorja iu referua edhe nevojës për diversifikimin e partneriteteve ndërkombëtare, përfshirë bashkëpunimin me Ballkanin, si dhe sfidat e të ashtuquajturit front mediatik, i cili, sipas saj, ka një ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë globale dhe perceptimin publik.
Profesori Aleksandar Ivanov nga Universiteti “Shën Klimenti i Ohrit” – Manastir vlerësoi se rreziqet e sigurisë për Maqedoninë e Veriut janë komplekse dhe të lidhura ngushtë me zhvillimet rajonale dhe globale.
Sipas Jovanka Jakubek-Lavlik, profesoreshë inordinare e drejtësisë në Universitetin e Varshavës, anëtarësimi në Bashkimin Evropian duhet të mbetet një proces i bazuar në meritë.
Forumi i Sigurisë në Shkup 2026 mblodhi përfaqësues kryesorë politikë, diplomatë, ekspertë të sigurisë dhe akademikë për të diskutuar sfidat kryesore që po formësojnë rajonin. Forumi u përqendrua në stabilitetin rajonal, rreziqet e reja të sigurisë – kërcënimet kibernetike, dezinformimin, pasigurinë energjetike dhe ndikimin e fuqive të mëdha.

