Shkup, 13 Qershor- Kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur nga portali Lideri.mk për rikonstruimin e Qeverisë, nuk përjashtoi mundësinë që rikonstruimi i Qeverisë në Kuvend të arrijë në korrik.
“Deri në fund të qershorit pres t’i mbarojmë konsultimet brenda partisë dhe me partnerët e koalicionit, kurse në Kuvend propozimi mund të shkon edhe në korrik”, tha Mickoski në brifingun e fundit me gazetarë duke u përgjigjur në pyetjen e portalit Lideri.mk.
Ndërkohë ai ka paralajmëruar se nga java e ardhshme do të fillojnë bisedimet me partnerët e koalicionit për këtë çështje.
“Do të takohemi me partneret e koalicionit nga java e ardhshme, së pari duam që ta shohim vizionin të shohim nëse ai vizion përputhet dhe më pas mund të flasim për zgjidhje kadrovike”, tha Mickoski.
I pyetur se kur mund të ketë zgjedhje parlamentare, Mickoski tha se qeveria po hyjnë në pjesën e dytë të mandatit dhe është e logjikshme që të mendohet edhe për zgjedhje.
Opsioni i preferuar sipas tij do të ishte të ketë zgjedhje të rregullta dhe jo të parakohshme.
Mexhiti paralajmëron ndryshime në kuadrot qeveritare: Do të vlerësohet puna e secilit funksionar
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se në periudhën e ardhshme pritet të nisë procesi i rikonstruktimit të Qeverisë, duke theksuar se puna e secilit funksionar do të jetë objekt vlerësimi.
Duke folur pas përfundimit të Panairit të Librit, Mexhiti tha se tashmë janë zhvilluar bisedime me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe se është arritur dakordim për realizimin e rikonstruktimit qeveritar. Sipas tij, në takimet e ardhshme do të përcaktohen parimet dhe kriteret mbi të cilat do të zhvillohet ky proces.
Ai nënvizoi se brenda VLEN-it po bëhen analiza të vazhdueshme për performancën e funksionarëve, ndërsa shtoi se ata që kanë treguar rezultate do të vazhdojnë të kenë mbështetjen e koalicionit. Në të njëjtën kohë, Mexhiti theksoi se kuadrot që nuk kanë përmbushur pritshmëritë mund të zëvendësohen me figura të reja dhe më të përgatitura.
Sipas tij, qëllimi i ndryshimeve është forcimi i institucioneve dhe përmirësimi i efikasitetit të punës së Qeverisë përmes angazhimit të kuadrove që mund të sjellin rezultate më të mira./Lideri.mk

