Zëvendësministri i Mbrojtjes dhe përfaqësuesi i VLEN-it, Admir Shabani në emisionin “Debat në Shenja”, ka thënë se periudhat me më shumë punësime në administratën publike kanë qenë ato kur balancuesi nuk ka qenë në fuqi.

Sipas tij, nga BDI, qytetarët do të dëgjojnë edhe shumë përralla, që ata vetë i kanë shkaktuar sa ishin në pushtet.

“Më tepër punësime ka pasur kur nuk ka pasur balancues. Nga BDI, qytetarët do të dëgjojnë shumë muhabete e përralla, që ata vetë i kanë shkaktuar dhe tash po i nxjerrin një nga një. Nuk do të jetë as hera e parë e as e fundit”, ka thënë Shabani.

Ai u shpreh se Ligji për përfaqësim të drejtë është arritje historike, sepse po sillet një zgjidhje ligjore që ka kaluar të gjitha filtrat ndërkombëtarë.

“Po, themi se është arritje historike, sepse po sjellim Ligj që ka kaluar komplet filtrat ndërkombëtar që është hartuar nga ekspertë të së drejtës kushtetuese dhe që përmban në vete sigurinë se gjatë punësimeve do të respektohet parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat”, ka thënë ai.

sqShqip