Studentët paralajmërojnë vazhdimin e kauzes se tyre për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke theksuar se pavarësisht takimeve me krerët shtetërorë dhe premtimeve për zgjidhje të shpejtë, kërkesat e tyre ende nuk janë realizuar. Një prej nismëtarëve, Mevlan Ademi, bëri te ditur se studentët do të vazhdojnë të qëndrojnë të vendosur deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

“Ne nuk kërkojmë konflikt, ne kërkojmë drejtësi. Nuk kërkojmë privilegje, kërkojmë barazi. Nuk kërkojmë të fitojmë mbi dikë , kërkojmë të fitojë ligji. Prandaj do të vazhdojmë të qëndrojmë stoik në kërkesën tonë, me dinjitet, argumente dhe respekt, por edhe me vendosmëri të plotë, sepse nuk pranojmë zgjidhje gjysmake, nuk pranojmë kompromise diskriminuese dhe nuk pranojmë që një e drejtë kushtetuese të shndërrohet në objekt negociatash politike”, tha Mevlan Ademi.

Drejtuesi i Democracy Lab, Sefer Selimi, njoftoi se krahas mbështetjes së protestave studentore, do të krijohet një platformë ku ekspertët do të paraqesin argumentet dhe qëndrimet e tyre ligjore lidhur me këtë çështje. Sipas tij se synimi është një shtet ku ligjet zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë dhe ku institucionet garantojnë, e jo kufizojnë, të drejtat e qytetarëve.

sqShqip