Kosova shënon 27-vjetorin e përfundimit të fushatës ajrore të NATO-s kundër Serbisë, që solli fundin e luftës dhe shënoi fillimin e një epoke të re për shqiptarët e Kosovës.

Pas 78 ditësh bombardimesh intensive, aleatët përfunduan operacionin humanitar, duke mundësuar kthimin e kosovarëve në atdhe, largimin e forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen e një force paqeruajtëse ndërkombëtare të udhëhequr nga NATO.

“Për herë të parë në 79 ditë, qiejt mbi Jugosllavi janë të qetë”, deklaroi presidenti amerikan, Bill Clinton, duke shtuar: “Mund t’i them popullit amerikan se kemi arritur fitore – për një botë më të sigurt, për vlerat tona demokratike dhe për një Amerikë më të fortë”.

NATO i ndërpreu sulmet një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës që simbolizon largimin e çizmes së fundit të ushtarit serb nga Kosova dhe hyrjen e trupave të NATO-s, duke krijuar kushtet për kthimin e refugjatëve në Kosovë.

Bombardimi i Serbisë nisi më 24 mars 1999. Ajo që filloi si mision për të ndalur spastrimin etnik, u shndërrua në një ndër ndërhyrjet më të rëndësishme humanitare të shekullit të 20-të, megjithëse ishte hera e parë që NATO – në historinë e saj të atëhershme 50-vjeçare – ndërhyri pa miratim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Për shqiptarët që kishin mbetur gjallë në Kosovë, nata mes 10, 11 dhe 12 qershorit 1999 simbolizon Ditën e Lirisë apo Ditën e Çlirimit, kur tankset britanike “Challenger” në rrugë tokësore dhe “Apache”-t amerikanë në qiell, filluan marshimin në Kosovë.

sqShqip