Vendimi i Kryetarit të Komunës së Strugës për të ndërprerë përdorimin e 45 numrave të telefonave zyrtarë ka shkaktuar reagime nga një pjesë e të punësuarve në Komunë dhe aktivistëve të afërt me BDI-në, të cilët e kanë kundërshtuar këtë masë dhe kanë kërkuar rishqyrtimin e saj.
Sipas burimeve brenda Komunës, kundërshtimet nuk lidhen vetëm me numrat e telefonave, por edhe me kërkesat që telefonat mobilë të shpërndarë ndër vite të mos kthehen në pronësi të institucionit.
Pak ditë më parë, administrata komunale ndërmori një analizë të shpenzimeve për telefoninë mobile dhe numri i linjave aktive u reduktua nga 95 në 45. Sipas të dhënave të Komunës, vetëm për këto shërbime shpenzoheshin deri në 40 mijë euro në vit nga buxheti komunal.
Burime komunale bëjnë të ditur se gjatë viteve të kaluara, përveç numrave zyrtarë, janë shpërndarë edhe aparate telefonike të modeleve të fundit, të cilat Komuna i kishte përfituar si bonus në kuadër të kontratave me operatorin telefonik. Një pjesë e këtyre pajisjeve, sipas të njëjtave burime, nuk janë shpërndarë sipas nevojave institucionale, por kanë përfunduar tek persona të afërt me strukturat e mëparshme udhëheqëse.
Nga Komuna vlerësojnë se reduktimi i numrave dhe rishikimi i përdorimit të pajisjeve zyrtare është pjesë e përpjekjeve për të vendosur disiplinë financiare dhe për të ndalur praktikat që për vite me radhë kanë rënduar buxhetin e qytetarëve.

