Drejtori Gjeneral i MEPSO-s, Burim Latifi, dhe Drejtori i KOSTT-it, Trim Tërnava, zhvilluan një takim të rëndësishëm pune, ku në fokus të veçantë ishte avancimi i projektit strategjik për ndërtimin e interkoneksionit të ri elektroenergjetik Tetovë–Prizren, pjesë e Korridorit Energjetik Lindje–Perëndim.

Gjatë takimit u diskutua progresi i deritanishëm i projektit, aktivitetet e ndërmarra pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet dy operatorëve, procedurat për fitimin e statusit PECI (Project of Energy Community Interest), si dhe sigurimi i asistencës teknike nga WBIF për përgatitjen e studimeve të fizibilitetit.

Dy drejtorët shqyrtuan edhe variantet e propozuara të trasës së interkoneksionit në territorin e Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës, me qëllim përzgjedhjen e zgjidhjes më të përshtatshme teknike, e cila do të përmbushë nevojat e të dy vendeve dhe do të kontribuojë në forcimin e ndërlidhjes rajonale elektroenergjetike.

MEPSO dhe KOSTT konfirmuan përkushtimin e tyre për realizimin e këtij projekti strategjik, i cili pritet të rrisë sigurinë energjetike, stabilitetin e rrjetit dhe integrimin e sistemeve elektroenergjetike në rajon, duke krijuar një bazë më të fortë për bashkëpunim dhe zhvillim të qëndrueshëm.

sqShqip