Shkup, 5 qershor – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka deklaruar se partia që ai drejton ka shënuar arritje historike në avancimin e pozitës së shqiptarëve në institucionet shtetërore gjatë 24 viteve të ekzistencës së saj.

Në shënimin e 24-vjetorit të themelimit të BDI-së, Ahmeti rikujtoi fillimet e partisë pas konfliktit të vitit 2001, duke theksuar se kuadrot e saj u përballën me sfidën e kalimit nga një lëvizje politike dhe kombëtare në një forcë qeverisëse. “Para 24 vitesh u përballëm në zgjedhje të lira, të cilat i fituam. Shumica prej nesh vinim nga një lëvizje që nuk kishte përvojë në qeverisje. Për 20 vjet ishim mësuar të luftonim kundër padrejtësive dhe sistemeve shtypëse, ndërsa tani duhej të ndryshonim qasjen dhe të merrnim përgjegjësi për realizimin e programit dhe misionit tonë politik”, deklaroi Ahmeti.

Sipas tij, angazhimi i kuadrove të BDI-së ka bërë të mundur rritjen graduale të përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore. “Filluam pothuajse nga zeroja, me vetëm një deri në dy për qind përfaqësim të shqiptarëve në institucione. Brenda dy dekadave arritëm ta rrisim këtë përfaqësim në mbi 20 për qind. Ishte një proces i vështirë, i shoqëruar me antagonizma, mospajtime dhe debate të shumta, por asnjëherë nuk u tërhoqëm nga objektivat që i kishim vendosur vetes dhe nga besimi që na dhanë qytetarët”, tha Ahmeti.

Ai vlerësoi se një nga sukseset më të mëdha të BDI-së ka qenë avancimi i pozitës politike të shqiptarëve në vend, duke nënvizuar se partia e mori përgjegjësinë qeverisëse në kushte të vështira dhe e përmbylli një etapë historike me zgjedhjen e kryeministrit të parë shqiptar. “E morëm me zero dhe e lamë me kryeministër shqiptar”, theksoi Ahmeti.

BDI këtë vit shënon 24-vjetorin e themelimit të saj, duke rikujtuar rrugëtimin politik nga periudha pas konfliktit të vitit 2001 deri te pjesëmarrja e saj në qeverisje dhe proceset kryesore politike në vend.

sqShqip