Zvarritet rikonstruimi i Qeverisë. Pasi u paralajmërua për zëvendësim ministrash apo rikonstruim më të gjerë në maj apo qershor, partnerët e koalicionit qeverisës ende nuk janë ulur në tryezë për të diskutuar emrat që do të shkojnë e vijnë. Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se për momentin janë duke zhvilluar diskutime brenda partiake në VMRO-DPMNE ndërsa deri në fund të këtij muaji, do të ulen të diskutojnë edhe me partnerët e koalicionit.

“Nuk e di tani jam i përkushtuar…
Lëvizja ZNAM a do të vazhdojë të jetë pjesë e Qeverisë?
Pse të mos vazhdojë nuk e di? A keni ju informacion të cilën unë nuk e kam?
Ka një deputet më pak për atë arsye.
Aha, deputet më pak. Nëse shohim ashtu ka edhe parti të tjera të cilat kanë më pak apo më tepër deputetë. Është materie e gjallë, proces dinamik. Le të kthehemi tek thelbi. Tani jemi të përkushtuar në lëvizjet dhe ristrukturimet brenda partiake, këtë planifikojmë ta përfundojmë deri në mesin e qershorit dhe në gjysmën e dytë të qershorit të ulemi të diskutojmë”, u përgjigj Hristijan Mickoski, kryeministër.

VLEN do të zëvendësojë Arben Fetain me një tjetër emër të cilin ende nuk e kanë caktuar. Sipas zv.kryeministrit Bekim Sali, Fatmir Limani nuk do të jetë përfaqësues i VLEN-it në Qeveri.

“Z.Fetai nuk do të jetë pjesë e Qeverisë por edhe z.Limani nuk do të jetë përfaqësues i VLEN-it në Qeveri. Këtë e kemi thënë disa herë dhe ashtu do të jetë. Rikonstruimi varet edhe nga partnerët e koalicionit ku mund të performojmë më mirë në ndonjë resor ndoshta mund ta kërkojmë në të ardhmen dhe të japim diçka që ndoshta partnerët e koalicionit vlerësojnë se mund të kenë performancë më të mirë. Për hire të funksionimit më të mirë në Qeveri dhe distribuimin e kualitetshëm të politikave të shëndosha për qytetarët”, deklaroi për Alsat, Bekim Sali, zv.kryeministër.

Rikonstruimi është temë debati tanimë më tepër se shtatë muaj, që nga zgjedhjet lokale. Që atëkohë, më i përfoluri ishte ministri i drejtësisë Igor Fillkov për shkak pakënaqësive me reformat në gjyqësor. Pakënaqësi përflitej se ka edhe në Ministrinë e Administratës, përkatësisht me ministrin Goran Minçev. Nuk përjashtohet mundësia që të ketë dhe këmbim të resorëve mes partnerëve të koalicionit. Megjithatë, informacione konkrete për lëvizje të mundshme pritet të publikohen në fund të këtij muaji./Alsat.mk.

sqShqip