MaqedoniZgjedhje Lokale 2021

Filipçe dhe Hasani nuk janë fajtorët thotë Zaev! Do të shkarkohen vetëm drejtorët e Spitalit të Tetovës

Kryeministri Zoran Zaev assesi nuk ua pranon dorëheqjet ministrit Venko Filipçe dhe zv/ministrit Ilir Hasanit. Fillimisht Zaev tha se do të pres që të perëndojë ekspertiza dhe të shihen rezultatet finale, ndërsa raporti i parë i prokurorisë nuk e ka bindur se Filipce dhe Hasani janë fajtorët.

“Askush askënd nuk po e amneston dhe as nuk ka pasur tendencë për amnestim, që të amnestoni dikë fillimisht ai duhet të jetë fajtor dhe të ketë të ngritur procedurë për të si të dyshuar, apo akuzuar, apo faj të dëshmuar. Bëhet fjalë për çështje etike, morale të ministrit dhe zv/ministrit, për persona të cilët me angazhimin e tyre profesional dhe personal i kanë dhënë shumë sistemit tonë shëndetësor, posaçërisht me pandeminë me Covid-19”, deklaroi kryeministri Zaev.

Nëse jo të Filipçes dhe Hasanit, a do të pranohen të paktën dorëheqjet e drejtorëve të Spitalit te Tetovës, Florim Besimit dhe Artan Etemit? Zaev tha se të njëjtit kanë dorëzuar dorëheqje të parevokueshme dhe se në vend të tyre do të vijnë persona tjerë në detyrë sapo të përfundojnë zgjedhjet lokale.

“Sa jam unë i informuar ato janë dorëheqje të parevokueshme, ju e dini që kodi zgjedhor nuk e lejon që në periudhë zgjedhore të emërohen persona të ri. Pres që në muajin nëntor, pas përfundimit të zgjedhjeve, rrethi i dytë përfundon me 31 tetor, do të vendosen personat e ri udhëheqës”, shtoi Zaev.

Nga ana tjetër partitë opozitare vazhdojnë të këmbëngulin në largimin nga pozitat e Filipçes dhe Hasanit. VMRO-DPMNE dje i paraqiti një kërkesë Parlamentit për të thirrur një seancë urgjente në të cilën pikat e vetme të rendit të ditës do të ishin kërkesat për shkarkimin e ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe dhe zëvendësit të tij, Ilir Hasani.

Lideri i opozitës shqiptare Ziadin Sela ka thënë se për kryeministrin më me rëndësi është Filipçe se sa të ngushëlloj 14 familjet e viktimave që u dogjën të gjallë.