Shkup, 1 qershor – Çmimet me pakicë të EURODIZELLIT (D-E V) dhe Vajit ekstra të lehtë për amvisëri të (EL-1) pas mesnate do të ulen për 6,50 denarë për litër, ndërsa benzina EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 do të rriten për gjysmë denari, kumtoi Komisioni Rregullator i Energjetikës.
Çmimi i ri i EUROSUPER BS – 95 do të jetë 88,00 denarë, EUROSUPER BS – 98 do të shitet për 90,00, EURODIZELLI BS (D-E V) për 85,50, ndërsa një litër Ekstra i lehtë 1 (EL-1) do të kushtojë 87,50 denarë. Për 3,238 denarë lirohet Mazuti M-1 NS dhe një kilogram do të shitet për 47,906 denarë.
Më parë, kompania “Okta” SHA – Shkup kumtoi se po vendos një zbritje të përkohshme prej 2 denarë për litër për benzinën 95 dhe 98 oktane, si pjesë e përpjekjeve për të mbështetur tregun vendas të karburanteve. Masa do të zbatohet në periudhën nga 2 deri më 16 qershor të këtij viti.
Kompania njoftoi se vendimi u mor si rezultat i lëvizjeve aktuale të çmimeve ndërkombëtare të karburanteve, por edhe si pjesë e komunikimit të vazhdueshëm me Qeverinë që synonte zbutjen e presionit të çmimeve mbi qytetarët dhe ekonominë. Zbritja do të vlejë për të gjithë shitësit me pakicë që blejnë benzinë nga “Okta”, si me shumicë ashtu edhe me pakicë.

