Një gjyqtar shqiptar emërohet anëtar i Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka emëruar për gjykatës të ri të huaj të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës, një shqiptar. Bëhet fjalë për gjyqtarin nga Shqipëria, Ledi Bianku, ka shkruar të martën Klix.ba.
Deri më tash nuk ishte e mundur të arrihej konsensusi mes tre anëtarëve të Presidencës së Bosnjës për një gjyqtar të huaj të Kushtetueses dhe kundërshtari më i madh ishte anëtari serb i Presidencës, Milorad Dodik.
Presidenca e Bosnjës më herët i ka nisur letër Gjykatës Evropiane, ku thuhej se për shkak të bllokadës nga anëtari i entitetit serb, është e pamundur të bëhen konsultimet në lidhje me emërimin e një gjyqtari.
“Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës Mato Tadiq mori njoftimin nga kryetari i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Robert Span, se ai kishte emëruar Ledi Biankun si gjyqtar të ri ndërkombëtar në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës, në përputhje me nenin VI.1.a) të Kushtetutës së Bosnjës”, u bë e ditur nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës të martëm, përcjell Klix.ba.
Dodik, ithtar për ndarjen e Republika Sërpskas nga Bosnja, së fundi tha se gjyqtari i ri i mundshëm në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës është një shqiptar dhe se ai është produkt i lobimit nga ana e myslimanëve nga Sarajeva dhe se Republika Sërpska nuk ka arsye të besojë në objektivitetin e tij.
Dodik është shprehur edhe kundër emërimit të përfaqësuesit të ri të lartë ndërkombëtar për Bosnjën, Christian Schmidt.
Sistemi juridik e politik në Bosnjë është i ndërtuar në atë mënyrë ku janë përfshirë të tri komunitet kryesore: boshnjak, serb e kroat me ndërkombëtarët si vëzhgues, por edhe me fuqi veprimi.
Po kush është Ladi Bianku? Ai ishte gjyqtar i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe profesor i asociuar në Universitetin e Strasburgut në Francë. Bianku më parë ka punuar edhe si anëtar i Komisionit të Venecias.
Në periudhën 2000 – 2007, ai shërbeu si këshilltar i presidentit të Shqipërisë dhe mbajti funksione të tjera që lidhen me Qeverinë e Shqipërisë.
Më 2006, parlamenti i Shqipërisë e zgjodhi atë president të Këshillit Kombëtar të Radiotelevizionit të Shqipërisë.
Nga gjuhet e huaja, flet anglisht, frëngjisht dhe italisht.