Është koha që shqiptarët ortodoksë dhe komuniteti torbesh kësaj radhe të kthehen te rrënjët e tyre shqiptare me regjistrimin e popullsisë në RMV
Arbër Çeliku
Arsyeja e represionit shtetëror në të shkuarën nuk qëndron më. Shqiptarët ortodoksë duhet të kthehen tek origjina e tyre e vërtetë. Tani është mundësia me regjistrimin e prillit 2021 të popullsisë në RMV. Neve na ndau historia, dhe tani le të na bashkojë gjaku! Feja nuk na bën të ndryshëm, është orientim shpirtëror dhe e drejtë elementare e gjithsecilit ta predikojë besimin e dëshiruar sipas bindjeve të tij personale.
Me komunitetin torbesh ne, që nga ndasitë shekullore, ndajmë një korpus të madh vlerash të përbashkëta. Përveç dokeve, zakoneve dhe traditave, kemi edhe marrëdhënie martesore dhe farefisnie. Gjithashtu, bizneset e tyre në vazhdimësi mbahen nga ne shqiptarët, sidomos nga kurbetçarët tanë. Pushteti nuk e ka më atë fuqi si dikur, shtrirja e komunitetit torbesh ndodhet kryekëput në komuna, të cilat dominohen dhe udhëhiqen nga ne shqiptarët.
Njëjtë si shqiptarët ortodoksë, edhe komuniteti torbesh duhet të kthehet te rrënjët shqiptare kësaj radhe, që të dëshmojë se bashkë jemi më të fortë, më të efektshëm dhe më veprues.
Në këtë tokë kemi qenë denbabaden, kemi jetuar së bashku dhe ka ardhur koha që mos të lejojmë të na ndajë politika dhe planet ogurzeza në përçarjen, asimilimin dhe zhbërjen tonë.
Tregoni botës se kjo tokë është e jona dhe se asaj do t’i dalim zot si shqiptarë të bashkuar!
O sot o kurrë…