Gjatë vizitës në Bruksel, nënkryetari i BDI-së Bujar Osmani ka zhvilluar takime të frytshme, por siç meret vesh, ka përjetuar edhe një moment të sikletshëm.
Siç thonë burime diplomatike, në margjinat e njërit prej takimeve Osmani është pyetur nëse ende mban kontakte me ministrin e jashtëm rus, Sergej Lavrov, të cilin para dy viteve e kishte gostitur në Shkup, asokohe në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së.
Këto burime thonë se Osmani ka filluar të arsyetohet se thirrja e Lavrovit në Shkup ka pasur qëllime të mira në favor të “paqes botërore”, arsyetim që nuk i ka bindur evropianët që i kanë kërkuar prerazi nënkryetarit të BDI-së të ndërpresë çdo lloj kontakti me ministrin rus Lavrov, nëse ende mbanë kontakte të atilla.
As Osmani as BDI nuk kanë njftuar lidhur me këtë çështje, por brenda ditës presim të ketë reagim, të cilin do ta publikojmë menjëherë për lexuesit.
Ndryshe Osmani, ka qëndruar në Bruksel për t’u takuar me zyrtar të Bashkimit Europian dhe për t’i informuar për ato që integristët i cilësojnë shqetësuese për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut – ndërprerja e rrugës drejt BE-së, përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe cenimin e parimeve themelore të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.
“Për të ngritur dy çështjet kryesore nga Maqedonia e Veriut, që janë zhgënjyese për të ardhmen e vendit. Prishja e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit dhe ndërprerja e rrugës europiane, dy tema këto që janë themeli i mirëqenies dhe të ardhmes së sigurt që qytetarëve dhe shpresoj se kjo do të ngre alarmin dhe fokusin e Bashkimit Europian për t’i ndërprerë këto dinamika”, tha lidhur me vizitën Bujar Osmani.
Në një deklaratë për TV21, ish-ministri i jashtëm Osmani, tregoi se gjatë këtyre dy ditëve të qëndrimit të tij në kryeqytetin e BE-së do të flasë me përfaqësues të Komisionit Europian, përgjegjës për zgjerimin e unionit por edhe eurodeputetë.
“Jam në Bruksel për takime të nivelit të lartë në Komisionin Europian, me drejtorin për zgjerim, me kabinetin e Marta Kos, shërbimin e politikës së jashtme të BE-së, si dhe një numër të eurodeputetëve nga grupe të ndryshme parlamentare në Parlamentin Europian”, deklaroi Osmani.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, pasi për të vazhduar para duhet të bëjë ndryshimet kushtetuese për futjen e bullgarëve në Kushtetutë.
Opozitarja Fronti Evropian ka nisur një iniciativë parlamentare për mbledhjen e nënshkrimeve për ndryshime kushtetuese me qëllim zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të vendit, duke bërë thirrje deputetëve që të mbështesin rrugën eurointegruese të vendit. Duke e komentuar këtë, kryeministri Hristijan Mickoski tha se BDI duhet të punojë për problemet që ka me kuadrin dhe programin në parti, ndërsa shtoi se çështjet shtetërore, i zgjidh qeveria.

