Sot, në seancën e Këshillit Komunal të Kumanovës me shumicë bindëse u pranua propozimi i Ark. Skender Osmani dhe këshilltarëve të VLEN-it që hapësira pranë Xhamisë së Qytetit të shndërrohet në zonë të gjelbëruar dhe hapësirë publike në shërbim të qytetarëve, shkruan Lideri.mk.
“Ky propozim buron nga nevoja reale për një qytet më të gjelbër, me ajër më të pastër dhe me hapësira më humane për jetesë, në vend të betonizimit dhe ngarkimit të vazhdueshëm me automjete në çdo hapësirë të lirë.
Një fakt shqetësues është se pjesa nga objekti i Komunës së Kumanovës deri te Spitali i Qytetit nuk ka asnjë metër katror hapësirë të gjelbër. Ky skuer do ta zbukuronte këtë segment rrugor dhe, sado pak, do të “konkurronte” trendin e betonizimit të qytetit.
Ne besojmë se zhvillimi modern i qytetit nuk matet vetëm me asfalt dhe parkingje, por me krijimin e hapësirave të gjelbra, të qasshme dhe funksionale për të gjithë qytetarët.
Kumanova meriton më shumë gjelbërim, më shumë kujdes për hapësirat publike dhe një cilësi më të mirë jetese për të gjithë banorët e saj”, sqaroi Osmani propozimin e tij./Lideri
Video në LINK.

