Çair, 21 shtator 2025- Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, zhvilloi një takim të veçantë me të rinjtë që në këto zgjedhje do të votojnë për herë të parë.
Ky takim shënon një moment të rëndësishëm në fushatën zgjedhore, duke vendosur theksin te përfshirja aktive e gjeneratës së re në proceset demokratike.
‘Sot për mua është një nder dhe kënaqësi e madhe të takohem me të rinjtë nga Komuna e Çairit, të rinj që për herë të parë do të kenë mundësinë të votojnë në këto zgjedhje’ u shpreh Mexhiti, duke theksuar se energjia, idetë dhe vizioni i tyre për Çairin janë frymëzuese dhe i japin motivim
të ri në angazhimin e tij politik.
Mexhiti kujtoi periudhën e rinisë së tij dhe përpjekjet e gjeneratës së
tij për të afirmuar zërin e shqiptarëve në Shkup dhe në Maqedoninë e Veriut.
‘Zëri i një të riu është një nga gjërat më të vlefshme në një demokraci.
Me një votë mund të ndryshohet drejtimi i komunës, i shtetit, i së
ardhmes’ shtoi ai.
Mexhiti theksoi se të rinjtë e Çairit këtë vjeshtë do të kenë mundësinë
të votojnë për projekte konkrete që përmirësojnë jetën e tyre.
‘Ju në vjeshtë votoni për Kampusin e ri universitar të Universitetit
‘Nëna Tereza’ Për pishina të reja në komunë, për kompleksin modern sportiv sipas modelit të Boris Trajkovskit, për Qendër rinore me bibliotekë moderne dhe fusha të reja lojërash’, tha Mexhiti.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e rigjallërimit të jetës kulturore në
Çarshinë e Vjetër të Shkupit, si pjesë e vizionit për një Çair aktiv,
gjithëpërfshirës dhe të orientuar drejt rinisë.
‘Kjo gjeneratë që do të votojë për herë të parë do të shkruajë faqen e
re të Çairit. Zëri i tyre është i fuqishëm, vendimi i tyre është e
ardhmja, dhe unë jam krenar që mund të jem pjesë e këtij ndryshimi’, përfundoi Mexhiti.