Shqipëri

Rama në OKB: Kjo asamble nuk është e plotë pa Kosovën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së u ka bërë thirrje vendeve anëtare që të njohin pavarësinë e Kosovës.

“Kjo Asamble e madhe nuk është dhe nuk do të jetë e plotë pa një prej shteteve të rajonit tonë, Republikën e Kosovës”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë.

Rama tha se në 13 vite pavarësi të Kosovës, ajo i ka sjellë më shumë paqe dhe stabilitet rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria mbështet u shpreh kreu i qeverise shqiptare “si alternativë të vetme dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si e vetmja mundësi për të sjellë njohjen e ndërsjellë mes dy shteteve”.

“E them me bindje absolute, vetëm maturia, kurajoja dhe vizioni do ta lejojë më në fund Serbinë të heqë barrën e së shkuarës”, tha Rama.

Gjatë fjalës në Sesionin e 76-të të Asamblesë së OKB-së, Rama foli edhe për çështjen e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ai tha se Shqipëria është gati për të hapur negociatat

“Ne presim me padurim në konferencën e parë ndërqeveritare për të çelur negociatat me anëtarësimin. E dua ta përsëris Shqipëria ka kohë që është gati ajo pret që BE ta bëjë pjesën e saj”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë.

Në cilësinë e kreut të qeverisë së një vendi që do të bëhet në fillim të vitit të ardhshëm anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurisë në OKB, Rama tha se Shqipëria do të ketë një agjendë kryesisht për të drejtat e njeriut. /euronews.al/