Shkrimtari dhe aktori i njohur Çun Lajçi ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike në vend, duke kritikuar opozitën për mungesën në seancën e Kuvendit ku pritej të votohej për presidente Feride Rushiti.
Në një shkrim të gjatë dhe emocional, Lajçi akuzon liderët opozitarë: Lumir Abdixhikun dhe Bedri Hamzën se nuk kanë arritur të fitojnë besimin e qytetarëve dhe se, sipas tij, nuk treguan përgjegjësi në një moment të rëndësishëm për shtetin.
Ai e cilëson si të papranueshme mungesën e deputetëve opozitarë në Kuvend, duke theksuar se, pavarësisht qëndrimeve politike, ata duhej të ishin të pranishëm në një proces kaq të rëndësishëm për vendin.
Lajçi vlerëson lart figurën e Feride Rushiti, duke e quajtur atë “nder i kombit” dhe një emër që, sipas tij, nuk e turpëron Kosovën. Ai shton se për një kandidate të tillë, deputetët duhej të merrnin pjesë në seancë, qoftë edhe pa votuar.
Në reagimin e tij, ai përdor tone të forta kritike ndaj klasës politike, duke i akuzuar për interesa personale, përfshirë pasurimin dhe rehati, në dëm të interesit shtetëror.
Reagimi i plotë:
Jo — ju s’e doni Republikën.
S’e doni shtetin.
Nga hiçi po ia nisi.
Nga Lumiri e Bedriu — që as nuk deshtën, as nuk dijtën, e as nuk u munduen me dijtë si fitohet dashnia e popullit.
– E unë kërkova për ta mend e krye — Shkup e Shkodër.
Sa i marrë jam!
Ndërkohë ata dy vjet i rrotulluen gurët, thue se shteti ishte mshefë nën ta.
Nuk e panë që nën gurë ishte hiçi dhe vetja e tyne, tue u fundosë në të.
– E unë, prapë, katër vilajete i shkela — për plisat e tyne.
Pastaj erdhi nata e fundit.
Jo “darka e fundit”, se aty s’kishte as bukë, as besë. Ishte darka e “lamës” dhe Kurti me emnin nga xhepi!
Kuvendi votonte një Presidente. Z.Rushiti, nji emën që nuk i turpnonte.
Kryetarja i thërriste deputetët me radhë — si në regjistër shkolle.
Ata nuk hynë.
Ishte ma e lehtë me folë n’hollin e Kuvendit. Para kamerave.
Për “puçin”.
Fjala e madhe gjithmonë e gjen vendin ma të vogël për me u thanë.
– E unë shkova n’Mirditë me marrë tirçit e Gjonmarkagjonajve,
për Bedriun, Lumirin e Albinin.
Sa i çmendur jam!
Mbramë gjithçka mund të shkonte mbrapsht, por propozimi për Presidenten e Kosovës ishte i mbarë.
Zonja Rushiti asht nderi i kombit. Fjala e bardhë e Kosovës.
Asht emën që i ban nder atdheut.
Për nji Presidente si ajo, deputetët opozitarë — ata që thirren në dashuninë e madhe për Kosovën — mbramë asht dashtë me qenë në Kuvend, pa marrë parasysh a votojnë a heshtin.
Sa turp!
Deputetët që flasin për dashninë e madhe që kan për Kosovën
mbramë patën një rast të vogël:
me qenë aty.
E nuk ishin!
– Kur votohej për faljën e Çakorrit, në 12 të natës, për mes tymit e rrapëllimave mblidhëshin deputetët!
Jo — ju s’e doni Republikën.
S’e doni shtetin.
Ju doni atë që nuk duket në fjalë:
xhepin,
pallatet që ndertuet me paratë tona,
rehatinë.
E kur këto nuk ju mjaftojnë, ktheheni te e vjetra:
grushti mbi koka
e hekurat n’duer.

