Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, mori pjesë në Kosova Finance Forum 2026, ku theksoi se ndërtimi i besimit në tregjet financiare është parakusht kyç për investime, rritje ekonomike dhe stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në fjalimin e tij, Durmishi vlerësoi se rajoni ndodhet në një moment vendimtar, i karakterizuar nga ndryshime të shpejta ekonomike dhe teknologjike, duke theksuar se besimi nuk është më një koncept abstrakt, por një nevojë konkrete për zhvillim të qëndrueshëm.
“Pa besim nuk ka investime, pa investime nuk ka rritje ekonomike. Prandaj, institucionet duhet të ofrojnë politika të qëndrueshme, transparente dhe të parashikueshme”, deklaroi Durmishi.
Ai nënvizoi se integrimi evropian mbetet prioritet strategjik për Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se ky proces shkon përtej harmonizimit të legjislacionit dhe përfshin transformim të thellë të modelit ekonomik drejt një ekonomie konkurruese dhe të integruar në tregjet evropiane dhe globale.
Ministri theksoi rolin e rëndësishëm të financimit në zhvillimin industrial, duke vënë në dukje se qasja në kapital është thelbësore për rritjen e bizneseve, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat përbëjnë shtyllën kryesore të ekonomisë.
Durmishi bëri të ditur se Ministria e Ekonomisë dhe Punës është duke zbatuar politika që synojnë përmirësimin e klimës së biznesit, mbështetjen e investimeve cilësore dhe nxitjen e inovacionit. Në këtë drejtim, ai përmendi edhe krijimin e Agjencisë për Inovacion dhe Zhvillim – INOVA, si një mekanizëm kyç për mbështetjen e kompanive inovative dhe projekteve me vlerë të shtuar.
Gjithashtu, ai njoftoi për ndryshimet në Ligjin për mbështetjen financiare të investimeve, i cili do të hyjë në fuqi nga viti 2026 dhe do të fokusohet në mbështetjen e investimeve që krijojnë vende të reja pune, avancim teknologjik dhe zhvillim rajonal.
Në fjalën e tij, ministri u ndal edhe te tregu i punës, duke theksuar se janë siguruar 40 milionë euro për masa aktive të punësimit, të fokusuara te të rinjtë, trajnimet, rikualifikimi dhe mbështetja për vetëpunësim.
Ai veçoi sektorët me potencial të lartë, si teknologjitë e informacionit dhe komunikimit (ICT) dhe shërbimet e proceseve afariste (BPO), si shtytës të rëndësishëm të transformimit ekonomik dhe rritjes së konkurrueshmërisë së vendit.
Në fund, Durmishi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke vlerësuar se vendet e Ballkanit Perëndimor mund të arrijnë më shumë përmes veprimit të përbashkët.
“Ballkani Perëndimor ka potencial të madh ekonomik. Sfida jonë është ta shndërrojmë atë në investime konkrete, inovacione dhe zhvillim të qëndrueshëm për qytetarët tanë”, përfundoi ministri Durmishi.

