Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka theksuar angazhimin e Shqipërisë për mbrojtjen dhe avancimin e pozitës së shqiptarëve në North Macedonia, pas një takimi që zhvilloi me zëvendëskryeministrin dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, shkruan gazeta KOHA.
Në një postim në rrjetin X, Hoxha e cilësoi takimin si të parë, por përmbajtësor, duke nënvizuar se “askush nuk na ndan, asgjë nuk na përçan”, pasi, sipas tij, ajo që shqiptarët kanë të përbashkët është më e madhe se çdo dallim politik apo ideologjik.
Sipas ministrit shqiptar, në takim është biseduar për një sërë çështjesh me interes të ndërsjellë, me theks të veçantë te pozita dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, të cilat ai i cilësoi të garantuara me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi, por që duhet të mbrohen dhe ushtrohen plotësisht.
Postimi i plotë në X i ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Ferit Hoxha:
Askush nuk na ndan, asgjë nuk na përçan, sepse ajo që kemi të përbashkët vetëm na bashkon.
Një takim i mirë, i parë por përmbajtësor sot me Izet Mexhitin, Kryetarin e komunës se #Çairit, Kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe bashkë lider i VLEN, për të diskutuar mbi një mori çështjesh me interes të ndërsjelltë.
Pozita dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut janë të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Këto të drejta duhet të mbrohen dhe të ushtrohen plotësisht në këtë frymë, në të mirë të të gjithë qytetarëve të cilëve u përkasin, por edhe si një investim i sinqertë për forcimin e demokracisë, institucioneve demokratike, karakterit multietnik të vendit dhe të ardhmes sonë të përbashkët evropiane.
E kam thënë dhe dua ta përsëris: nëse nuk do të jemi në gjendje të ruajmë të arriturat e fituara me aq mund sic janë përdorimi, zhvillimi dhe trashëgimi i gjuhës shqipe si dhe përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, nëse kujdesemi për të mirën e përbashkët, nëse nuk bashkohemi për gjithçka që shkon përtej dhe qëndron më lart se çdo individ, çdo grupim politik apo dallim ideologjik, atëherë përgjegjësia do të jetë vetëm e jona.
Mora sigurinë nga z. Mexhiti se ai, partia e tij dhe koalicioni i VLEN janë dhe mbeten të angazhuar për të mbrojtur dhe zhvilluar më tej të drejtat dhe pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar #barazi, përfaqësim të drejtë dhe avancim të vazhdueshëm në të gjitha sferat e jetës publike.
Prandaj duhet të jemi në gjendje dhe të aftë të dialogojmë, së pari me njëri-tjetrin, të bashkohemi rreth asaj që kemi të përbashkët, sepse ajo na mban dhe na forcon më shumë se çdo gjë tjetër.
Na duhen më pak fjalë e më shumë punë.
Sepse në këtë mënyrë zhvillohemi e përparojmë, dhe njëkohësisht ndërtojmë edhe një marrëdhënie më të fortë, më bashkëpunuese dhe më miqësore me Maqedoninë e Veriut, vend fqinj, vend aleat, partner i ngushtë dhe bashkëudhëtar në rrugëtimin tonë #evropian.

