Në rrëzë të Karadakut, në Komunën e Likovës, fshati Allashec, me lagjet e tij Alishiça dhe Gavellë, të rikthen në kujtesë bukuritë mahnitëse të Prevallës në Republikën e Kosovës.
Ky vend piktoresk, i bekuar me natyrë të virgjër dhe klimë të freskët malore, po përjeton një ringjallje të dukshme që ngjall shpresë dhe krenari.
Këtë fundjavë, patëm mundësinë të kalojmë një ditë të mbushur me qetësi dhe frymëzim, duke shijuar peizazhet e mrekullueshme të Allashecës. Ajo që bie menjëherë në sy është gjallërimi i fshatit, me shtëpi të reja po ndërtohen çdo ditë, duke arritur në rreth dhjetë vetëm në katër-pesë vitet e fundit, veçanërisht në lagjen e Gavellës.
Secila prej tyre reflekton një arkitekturë moderne dhe një dëshirë të fortë për rikthim në rrënjë. Ky zhvillim nuk është i rastësishëm. Ai është rezultat i një përkushtimi të përbashkët, i Shoqatës “Allasheca”, i donatorëve nga vetë fshati (mes tyre edhe Eroli), si dhe i mbështetjes së Komunës së Likovës. Ndërtimi dhe rehabilitimi i rreth dy kilometrave rrugë kanë krijuar kushte reale për rikthimin e jetës në këtë zonë. Megjithatë, mbetet ende punë për t’u bërë. Rreth 625 metra rrugë në lagjen Gavellë presin të përfundojnë, në mënyrë që çdo familje të ketë mundësinë të rikthehet dhe të investojë në vendlindjen e të parëve. Ky është një apel i qartë për vazhdimin e përkushtimit institucional dhe qytetar.
Shpresa mbetet e gjallë se bashkëpunimi ndërmjet Komunës së Likovës dhe Shoqatës “Allasheca” do të intensifikohet për të krijuar kushte të qëndrueshme jetese dhe zhvillimi. Mbi tridhjetë familje kanë shprehur tashmë gatishmërinë për t’u rikthyer, një potencial i jashtëzakonshëm për rilindjen e kësaj treve. Allasheca meriton një vëmendje të veçantë, me bukuritë e saj natyrore dhe pozicionin strategjik, ajo ka të gjitha parakushtet për t’u shndërruar në një qendër rekreative dhe turistike moderne, në nivel të atyre që tashmë lulëzojnë në hapësirat shqiptare.
Koha për të vepruar është tani.

sqShqip