Portali Lideri.mk prej sot do të publikon ekskluzivisht përmbajtjen e librit të aktorit të njohur shqiptar nga Shkupi, Bajrush Mjaku. Libri me titull ‘URTËSI E MARRËZI’, që përmban mbresa, kujtime dhe vlerësime
të shumta, ka dalë nga shtypi në vitin 2024, por tani vjen ekskluzivisht pranë lexuesit shqiptar edhe në formë elektronike, në një sërë vazhdimesh. Ky tekst fillon me një kuriozitet të cilin Mjaku e ka përmendur edhe më herët: Deri sa gjithë shqiptarët e më gjerë dinë për rolet e tij, Bajrush Mjaku nuk e din datën e saktë kur ka lindur, e aty e sqaron edhe vitin e lindjes së tij, për të cilin poashtu ekzistojnë dilema! Kjo ka qenë një dukuri e zakonshme tek shqiptarët e ish Jugosllavisë në ato kohëra të vështira.
Leximi i këtij libri, që në portalin tonë do të publikohet në vazhdime, paraqet një sihariq të vërtetë për lexuesit që nuk e kanë siguruar librin në formë të shtypur, pasi njëkohësisht përmban edhe elemente autobiografike, por edhe paraqet një lloj monografie për Teatrin Shqiptar, së paku në një fazë të funksionimit të tij. Libri përmban tekste mbi 40 vjeçare, jo vetëm për karrierën e tij por edhe për sukseset e vazhdueshme të Teatrit Shqiptar të Shkupit. DO të sjellim edhe tekstet autoriale që aktorit Mjaku ia kanë dedikuar figura të njohura, si akademiku tashmë i ndjerë Luan Starova, Prof. dr. Stefan Capaliku, shkrimtari Kim Mehemti, e kështu me radhë.
——–
Janar 1952, jo janar 1953
Nuk e di datën e saktë të lindjes, prindët vazhdimisht më thonin se kam
lindur dy javë para se është martuar axha im Limani. Axha ishte martuar dy
javë para mesit të dimërit të vitit 1952 – duke u bazuar në mbledhje – zbritjet
matematikore del se unë kamë lindur në 3 – 4 ditët e para të janarit të vitit
1952, në fshatin Gjurgjedel të Grykës së Kaçanikut, një fshat atëher pa
infrastrukturë, pa kushte përë jetë,me një shkollë fillore, ku mësimi zhvillohej
vetëm deri në klasën e katërtë.
Për arësye të shkollimit tim, të vëllaut dhe shtatë motrave të mija, po dhe
për shkak të politikës së asaj kohe që promovonte Jetën në Qytet dhe punën
në fabrikë, babai vendosi që ta lëmë fshatin dhe të shprëngulemi në Kaçanik.
Pas kryerjes klasës së katërt në Gjurgjedell regjistrohem në klasën e V-të
në Shkollën Fillore “Emin Duraku” në Kaçanik.
Pas kryerjes së shkollës fillore në Kaçanik – Kosovë, në moshën 14
vjeçare, më saktësisht në vitin 1966, në mungesë të shkollës së mesme në
Kaçanik, nisem drejt Shkupit për të konkurruar në Shkollën Normale “Zef
Lush Marku”, ku në fakt i nënshtrohem provimit pranues, ku pas dy dite
komunikohen rezultatet e provimit, ku më kujtohet si sot paraqitja e Xhekit –
Syrja Imamit, profesor i lëndës së muzikës, para të cilit kishim dridhjet e
provimit, na uron për suksesin e treguar në provim.
Pas një jave, kur do duhej bërë regjistrimi, mua me një grup të rinjsh,
sekretari i shkollës na fton në një klasë dhe njëherit na informon se,
përkundër faktit se me sukses e kemi kaluar provimin pranues, por për shkak
të numrit të madh me nxënës nga Shkupi e rrethina, për ne të ardhurit nga
Kosova nuk do ketë vend për pranim, dhe me këtë rast na i kthyen
dokumentet bashkë me një shkresë ku vërtetohej dhënia e provimit.
Së bashku me pesë shokë nga Kaçaniku, nisemi drejt Shkollës Normale në
Ferizaj, por nga drejtoria e shkollës nuk na e ofrojnë kënaqësinë për t’u
pranuar, kështu të gjithë ngelëm rrugëve duke kërkuar mundësinë se ku do të
vazhdojmë shkollimin e mesëm.
Falë këmbëngulësisë sime dhe të disa nxënësve të cilët kishin ngelur pa u
regjistruar në shkollë të mesme, një ditë nëntori të vitit 1966, në oborrin e
Shkollës Normale “Z.L.M” u mblodhëm të gjithë ne që kishim ngelur jashtë
bankave dhe kërkojmë takim me drejtorin e shkollës z. Qemajl Musliu, ku për
kënaqësinë tonë na pranon për të dëgjuar hallet dhe brengat tona, dhe me
këtë rast drejtori na informon se është duke punuar në atë drejtim dhe
shpreson se shumë shpejt do të bëjë një zgjidhje – zgjidhje që do jetë në favor
tonin. Pas tre ditësh na ftojnë dhe nga ne kërkojnë që dokumentacionin e
duhur për pranim ta dërgojmë në drejtorinë e shkollës së mesme ekonomike
“Koço Racin” në Gjorçe Petrov. Ashtu veprojmë, në shkollën ekonomike na
pret profesori i edukatës fizike z. Neset Saiti i cili ishte caktuar të jetë
kujdestar i klasës së parë apo siç na emërtuan (prva shiptarska) I- va SH.
Falë kryetarit të komunës së Gjorçe Petrovit, z. Meti Kërliu, drejtorit të
Shkollës Normale “Zef Lush Marku” z. Qemajl Musliut dhe, kuptohet,
bashkëmendimtarëve të tyre, në kuadër të Shkollës së Mesme Ekonomike
“Koço Racin” në Gjorçe Petrov hapet paralelja e parë e gjimnazit në gjuhën
shqipe ku u përfshinë 24 nxënës nga Saraji e rrethina e Shkupit dhe 6 nxënës
të ardhur nga Kaçaniku.
Duhet përmendur faktin se gjatë tërë vitit të parë një herë në muaj do
paraqitet në klasë drejtori i shkollës së mesme ekonomike. z. Dano Kitanov,
me urdhër që ne nxënësit e ardhur nga Kaçaniku – Kosova, ta lëshojmë
shkollën dhe të kthehemi në Kosovë, se për ne nuk ka vend në këtë shkollë,
ishim të detyruar ta lëshonim klasën dhe të niseshim drejt autobusit, të
zhgënjyer dhe të pashpresë, se nesër do të gjendemi në të njëjtën klasë me
shokët. Ky zhgënjim zgjatëte shumë shkurt, derisa kujdestari i klasës,
profesori i edukatës fizike z. Neset Saiti urdhëronte një nga shokët e klasës që
të dalë nga ora e të vrapojë drejt autobusit dhe të na urdhërojë që të mos
ndodhë të nesërmen e të mos gjendemi në klasë, dhe kështu drejtori na përzë
nga klasa, ndërsa Neseti na kthente në klasë. Falë Qemajl Musliut dhe Neset
Saitit ne të ardhurit nga Kaçaniku vazhduam dhe me suksese kryem
gjimnazin.
PËRSE E DUA SHKUPIN?!….
Shkupi si një mjedis multinacional e multikulturor, më bëri ta kuptoj se
është Zoti ai i cili ka dashur që në këtë mjedis të jetojnë shqiptarë,
maqedonas, serbë, turq e boshnjakë me vlleh e romë bashkë dhe kjo është
pikërisht vlerë dhe se këtë vlerë duhet ta kultivojmë të gjithë së bashku dhe
askush nuk ka të drejtë t’ia ngulfatë ajrin tjetrit, përkundër tentimeve të
kohëpaskohshme për të ta uzurpuar ajrin, me dëshirën që të përvetësojë atë
që dikush tjetër e ka nën përkujdesje.
Duke e kuptuar me kohë vlerën e madhe që e ka qyteti i Shkupit, e ajo
vlerë është MULTIKULTURALIZMI, që në moshë të re, si aktor jam futur në
projekte të tilla me karakter multinacional e multikulturor.
Nëpërmjet këtyre projekteve është dëshmuar se nuk ia ofroj kënaqësinë
askujt të më quajë qytetar të rendit të dytë, siç pretendonin e sot edhe më
shumë pretendojnë, për fat të keq, disa politikan me dioptri shkurtpamëse.
Meqë jetojmë në një mjedis të tillë, do të duhet ta respektojmë ligjin e
natyrës dhe së bashku të krijojmë dhe të ndërtojmë ardhmërinë tone. Sa i
përket njohjes, ne shqiptarët jemi në pozitë më të favorshme mu për faktin se
një nxënës i shkollës së mesme – shqiptar, e njeh gjuhën maqedonase, e di se
kush është Racini e Koneski apo Matevski, e di kush është Grigor Përliçev,
ndërsa pala tjetër nuk është fare e interesuar ta mësojë gjuhën shqipe apo ta
njohë Konicën, Kadarenë apo Çabejn e Teki Dervishin apo Ibrahim Kodrën.
Falë të vërtetës, të cilën gjë e kam kuptuar që moti, unë jo vetëm se kam
dhënë kontributin tim të pamohueshëm, por edhe kam iniciuar projekte
teatrore të kësaj fryme, shfaqje multikulturore e multinacionale, duke qenë i
angazhuar në projekte të tilla dhe duke interpretuar role të ndryshme edhe
në gjuhën maqedonase, turke, rome, kroate, projekte që më kanë bërë të
ndihem krenar.
Shkupi më dha mundësi të mëdha drejt kultivimit dhe formimit tim
si njeri e më vonë si artist, sepse pikërishtë në Shkup për herë të parë
rashë në kontakt me teatrin.
Natyrisht, ambienti i ri i Shkupit por edhe ajo ”ashpërsia e bukur “e
maleve të Gryës së Kaçanikut që kisha marrë me vehte ,janë gjurmë që
kanë ndikuar në formimin e personalitetit tim….
Tani jam ky që jam,nga Gjurgjedelli i grykës së Kaçanikut e Shkupit
multietnik e mbi të gjitha nga teatri. Përtej gjdo gjëje tjetër, identiteti
teatror përbënë pjesën time kryesore,pra nëse do më kërkohej të
përgjigjem se prej nga vi do thosha pa mëdyshje se vi nga Teatri.
Ngjizja për t’u marrë me aktrim
Në vitet 1969-1970, si maturant në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup,
duhej të vendosja për temën e diplomës. Isha i interesuar që t’i bëja analizë
romanit të njohur të Viktor Hygosë “Të mjerët” (Les Miserables).
Në atë kohë, si gjimnazist kisha disa angazhime në Teatrin e Pakicave sot
Teatri Shqiptar – Shkup, një ditë, rastësisht, në klubin e teatrit u takova me
regjisorin e njohur nga Prishtina, z. Muharrem Qena, i cili, me ansamblin e
dramës shqiptare do ta realizonte shfaqjen “Armiku i popullit” të H. Ibsenit.
Shfrytëzova rastin dhe kërkova të marr pjesë në provën e parë, kur regjisori
para aktorëve shpalosi idenë për realizimin e shfaqjes. Pas provës së parë
vazhduam në klubin e teatrit ku folëm gjerë e gjatë për dramën, për “Dr.
Stockmanin”, për dramaturgjinë e Ibsenit.
Me t’u kthyer në shtëpi’ përfundimisht vendosa që si temë diplome të
punoj pikërisht “Armikun e Popullit” apo, siç njihet ndryshe, “Doktor
Stockman”.
Në shkurt të vitit 70 u shfaq premiera e “Armikut… “ në skenën e Teatrit të
Pakicave në Shkup. Menjëherë fillova të shkruaj temën, zgjodha një mënyrë
që edhe sot më duket interesante, të luaja rolin e gazetarit dhe të intervistoja
Doktor Stockmanin dhe Pjetër Stockmanin, për “kacafytjet”, “mosmarrëveshjet”, “mospajtimet” e tyre dhe,
derisa po shkarravitja nëpër fletore, tek unë filloi të ngjizej një ide tjetër, më e madhe,
të konkurroja për të studiuar në Degën e Aktrimit në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë.
Dhe kështu ndodhi.
Në qershor të vitit 1970, i nënshtrohem provimit të pranimit në Degën e
Aktrimit pranë SHLP, në Prishtinë dhe para komisionit vlerësues ku merrnin
pjesë prof. Ramiz Kelmendi, regjisori Sllobodan Popiq, poeti Azem Shkreli, i
cili ishte drejtori i “Teatrit Krahinorë” në Prishtinë. Në një konkurrencë të
madhe prej 34 kandidatëve, arrita të jem njeri nga pesë kandidatët e pranuar.
Më 1 tetor të vitit 1970, startoi gjenerata e parë në Degën e Aktrimit
pranë Universitetit të Prishtinës,.
Para studenteve, në orën e parë të interpretimit na u paraqit aktori më
autoritar i aktrimit në nivel jugosllav, idhulli i rinisë jugosllave dhe, kuptohet,
i aktorëve të rinj (pa marrë parasysh përkatësinë etnike) meqë ishte njëri
ndër më të popullarizuarit e filmit, aktori shume tërheqës, Faruk Begolli.
Faruku nuk mundi të vazhdojë si profesor vitin e dytë për shkak të
detyrimit ushtarak.
Befasia më e madhe ishte kur para studentëve të vitit të dytë paraqitet
ikona e filmit jugosllav, Bekim Fehmiu i cili, pas prezantimit te filmit
“Mbledhësit e puplave” të regjisorit Aleksandër Petroviq, në Festivalin e
Filmit në Kanë (Francë), kishte nënshkruar marrëveshjen me producentin e
njohur me përmasa botërore, Dino de Laurentis.
Bekim Fehmiu ishte profesori i radhës i interpretimit. Me Bekimin
punuam plot tre muaj, dhe kënaqësia më e madhe ishte se analizuam
pikërisht personazhet më domethënëse të Shekspirit, ku mua më ishte
besuar “Hamleti”.
Që në takimin e parë Bekimi na kishte informuar se nuk është i sigurt
nëse do mund ta kryente vitin shkollor, për arsye se ishte në pritje të një
angazhimi tepër domethënës, në një film hollivudian – “Aventurierët”. Pas
shkuarjes së Bekimit, ne na mbeti që semestrin e katërt ta vazhdojmë me
asistentin e tij, Faik Ymerin për të realizuar shfaqjen e diplomës, “Procesin “ –
F. Kafka, e ku për kënaqësinë time nga ana e Faikut m’u besua roli kryesor,
Jozef K.
Më duhet të pranoj se shfaqja e diplomës “Procesi” – F. Kafka, në
Prishtinë, zgjoi interesim të jashtëzakonshëm në mesin e aktorëve të teatrit,
profesorëve dhe studentëve.

