Abbas Araghchi, ministri i Jashtëm i Iranit, ka shkruar në platformën X të premten se kalimi për të gjitha anijet tregtare nëpër Ngushticën e Hormuzit është shpallur plotësisht i hapur për periudhën e mbetur të armëpushimit.

Ai shtoi se kalimi nëpër ngushticë do të bëhet sipas itinerarit të koordinuar të njoftuar nga Organizata e Porteve dhe Detarisë së Iranit.

“Në përputhje me armëpushimin në Liban, kalimi për të gjitha anijet tregtare nëpër Ngushticën e Hormuzit shpallet plotësisht i hapur për periudhën e mbetur të armëpushimit, sipas itinerarit të koordinuar siç është njoftuar tashmë nga Organizata e Porteve dhe Detarisë së Republikës Islamike të Iranit”, thuhet në postim.

Pas njoftimit të Araghchit ka reaguar edhe presidenti amerikan, Donald Trump.

“Irani sapo ka njoftuar se Ngushtica e Hormuzit është plotësisht e hapur dhe gati për kalim të plotë. Faleminderit!”, ka shkruar Trump në Truth Social.

E në një postim tjetër pak minuta më vonë ka njoftuar se bllokada amerikane do të vazhdojë derisa të arrihet marrëveshje përfundimtare me Iranin.

“Ngushtica e Hormuzit është plotësisht e hapur dhe gati për aktivitet tregtar dhe kalim të plotë, por bllokada detare do të mbetet në fuqi të plotë dhe efekt sa i përket Iranit, vetëm deri në momentin kur transaksioni ynë me Iranin të përfundojë 100%. Ky proces duhet të ecë shumë shpejt, pasi shumica e pikave janë tashmë të negociuara. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!” ka shkruar Trump.

Ngushtica e Hormzit transporton rreth 20% të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë. Nafta bie me 10% pas rihapjes së Ngushticës së Hormuzit.

Macron dhe Starmer mirëpresin hapjen e Ngushticës së Hormuzit, por thonë se duhet të jetë e përhershme

Presidenti francez, Emmnauel Macron dhe kryeministri britanik kanë bashkëkryesuar të premten një takim me rreth 40 shtete, ku çështja kryesore e diskutimeve ishte Ngushtica e Hormuzit, hapjen e së cilës e njoftoi Irani pak kohë para se të fillonte konferenca.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, e nisi konferencën për shtyp duke theksuar pasojat “shumë të rënda” që ka pasur mbyllja e Ngushticës së Hormuzit për të gjithë botën dhe ekonominë globale.

Ai përshëndeti zhvillimet e fundit pozitive, si rihapjen e ngushticës, armëpushimin mes Iranit dhe SHBA-së dhe armëpushimin në Liban – për të cilin theksoi se duhet të respektohet plotësisht.

“Diplomacia po na çon përpara”, u shpreh ai.

Më pas fjalën e mori kryeministri britanik Keir Starmer, i cili theksoi se liderët mirëpresin lajmin për rihapjen e ngushticës nga Irani, por paralajmëroi se kjo duhet të jetë zgjidhje e qëndrueshme dhe afatgjatë., raporton BBC.

Ai nënvizoi se mesazhi i përbashkët i liderëve është që ngushtica duhet të jetë e hapur “pa tarifa dhe pa kufizime”.

Starmer bëri thirrje që transporti detar të rifillojë sa më shpejt, për ta zbutur goditjen ekonomike, dhe njoftoi se Franca dhe Britania do të udhëheqin një mision ndërkombëtar për mbrojtjen e lirisë së lundrimit “sapo kushtet ta lejojnë, në mënyrë rreptësisht paqësore dhe mbrojtëse”.

Ai shtoi se javën e ardhshme në Londër do të mbahet një konferencë planifikimi, ku pritet të marrin pjesë dhjetëra vende.

“Qytetarët tanë kanë nevojë të shohin rikthimin e paqes dhe stabilitetit”, përfundoi ai.

Në vijim, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, theksoi se hapja e ngushticës është parim themelor i së drejtës ndërkombëtare, i cili vlen për çdo ngushticë apo rrugë detare.

Ajo shtoi se armëpushimet në Liban dhe Iran duhet të jenë “pjesë përbërëse e çdo procesi serioz negociatash për zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme”.

Meloni e cilësoi “jetike” që Irani të heqë dorë nga “ambicia për armë bërthamore” dhe shtoi se misioni i përmendur do të fokusohet në sigurinë e anijeve në zonë, duke përfshirë kontrollin për mina dhe garantimin e sigurisë për industrinë detare. Ajo e përshkroi këtë si “mision thjesht mbrojtës” dhe konfirmoi se Italia do të kontribuojë me “një numër të caktuar njësish detare”.

Në fund, kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se është në interesin e menjëhershëm të të gjitha palëve që të intensifikojnë përpjekjet për paqe. Ai shprehu mbështetjen e Gjermanisë për arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë diplomatike mes SHBA-së dhe Iranit, si dhe e quajti një “mundësi historike” për Hezbollahun dhe Izraelin që të avancojnë drejt një paqeje të qëndrueshme.

Merz përsëriti kërkesën që Irani të hapë plotësisht Ngushticën e Hormuzit në mënyrë të qëndrueshme, të sigurt dhe “pa tarifa”, duke theksuar se, pavarësisht “lajmeve të mira”, nuk duhet të ketë asnjë kufizim.

Ai shtoi se Gjermania është e gatshme të kontribuojë në misionin për garantimin e lirisë së lundrimit, përfshirë edhe pjesëmarrjen e mundshme të forcave të armatosura dhe operacione si pastrimi i minave. Një plan i tillë, sipas tij, do të kërkojë miratim nga OKB-ja dhe parlamenti gjerman, ndërsa pjesëmarrja e SHBA-së do të ishte “e dëshirueshme”.

Trump sërish kritikon NATO-n: Ishin të padobishëm kur ishte e nevojshme

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar me një seri postimesh në Truth Social lidhur me zhvillimet e fundit në Ngushticën e Hormuzit.

Presidenti amerikan ka nisur përsëri kritika të ashpra ndaj NATO-s.

“Tani që situata në Ngushticën e Hormuzit ka përfunduar, mora një telefonatë nga NATO duke pyetur nëse kishim nevojë për ndihmë. U thashë të qëndronin larg, përveçse nëse duan thjesht të ngarkojnë anijet e tyre me naftë. Ata ishin të padobishëm kur ishte e nevojshme, një tigër prej letre!”, ka shkruar Trump.

Në postimet e tjera ai shprehu falënderime për Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin, duke i vlerësuar për “guximin e madh dhe ndihmën” e dhënë në menaxhimin e situatës.

Trump u ndal edhe te çështja e sigurisë detare, duke deklaruar se Irani, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, ka hequr ose është në proces të heqjes së të gjitha minave detare në zonë.

Ndërkohë, Trumpi ka shkruar se hapja e ngushticës s’ka të bëjë fare me armëpushimin në Liban.

“Sërish! Kjo marrëveshje nuk lidhet në asnjë mënyrë me Libanin, por ne do ta bëjmë Libanin të mrekullueshëm sërish!” ka shkruar ai.

Bie për 10 për qind çmimi i naftës

Deklarimi i Iranit për hapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit ka ulur për 10 për qind çmimin e naftës, në bursa ndërkombëtare.

Kjo ngushticë shërben për transportin e 20 për qind të naftës në nivel bote.

Ajo ishte e mbyllur që nga nisja e luftës më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli sulmuan Iranin.

sqShqip