BDI-ja dhe LDSM-ja po e bllokojnë miratimin e ligjit të ri për vetëqeverisjen lokale, akuzoi sot ministri Zlatko Perinski. Zgjidhja e re ligjore parasheh mundësinë për shkarkim të parakohshëm të kryetarëve të komunave, por i njëjti është bllokuar në Kuvend për shkak të mungesës së shumicës së Badenterit dhe shumicës prej dy të tretave për miratimin e tij, tha ai.
“Shpresoj që opozita do ta tejkalojë këtë çështje në aspekt politik dhe kjo zgjidhje ligjore më në fund do të miratohet në kuadër të parlamentit, sepse ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e demokracisë lokale. Partitë opozitare, BDI dhe LDSM, edhe pse të gjitha amendamentet që i kemi marrë nga ana e tyre janë pranuar nga ne dhe janë integruar”, deklaroi Zllatko Perinski, Ministër i vetëqeverisjes lokale.
Me të u jepet mundësi qytetarëve që të nisin iniciativë për shkarkimin e kryetarit të komunës nga funksioni përmes referendumit.
“Nëse ndonjë kryetar komune e keqpërdor besimin e qytetarëve, të cilin ata ia kanë dhënë në zgjedhje të drejtpërdrejta, përmes referendumit qytetarët mund të iniciojnë referendum ndaj kryetarit të komunës dhe ai të shkarkohet. Kjo është reformë shumë thelbësore, sepse të gjithë ne në jetën politike jemi të zëvendësueshëm, ndërsa kryetarët e komunave nuk kanë asnjë mundësi ligjore që, pasi të bëhen kryetarë, të shkarkohen, përveç nëse dënohen penalisht ose në rast vdekjeje”, tha Zlatko Perinski – ministër i vetëqeverisjes lokale.
Propozim-ligji parashikon vendosjen e detyrueshme të një shërbimi të rendit komunal në komuna. I njëjti, sipas Perinskit, është në përputhje me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe është në kuadër të të gjitha praktikave pozitive që ekzistojnë në vendet e rajonit. Propozim ligji është në procedurë kuvendore./Alsat.mk.

