Ali Ahmeti ka bërë thirrje të fortë për angazhimin e të rinjve, duke e cilësuar Akademinë Politike të Bashkimit Demokratik për Integrim si një projekt strategjik për të ardhmen e vendit dhe të shqiptarëve në rajon.

Në një mesazh motivues, Ahmeti theksoi se të rinjtë nuk janë vetëm e ardhmja, por bartësit e drejtpërdrejtë të vazhdimësisë së vizionit shtetformues dhe kombëtar. Sipas tij, investimi në edukimin dhe formimin politik të tyre është detyrim dhe jo zgjedhje.

Ai nënvizoi se Akademia Politike e BDI-së përfaqëson një investim konkret në brezat që do të udhëheqin nesër, duke ofruar një program të strukturuar në pesë module kyçe: nga përpjekjet historike dhe themelimi i partisë, te Marrëveshja e Ohrit si themel i shtetit të ri, roli i shqiptarëve në rajon, komunikimi politik dhe procesi i integrimit europian.

“Integrimi europian nuk është një premtim politik, por një projekt gjenerate dhe rruga jonë e vetme drejt stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm,” theksoi Ahmeti, duke iu drejtuar të rinjve si forca që do ta çojë këtë proces përpara.

" "

Ai shtoi se formimi politik nuk është privilegj, por përgjegjësi: dija e historisë ndërton identitetin, kuptimi i institucioneve jep mjetet, aftësitë komunikuese krijojnë ndikim, ndërsa vizioni europian përcakton destinacionin.

Afati për aplikim në Akademinë Politike të BDI-së mbetet i hapur deri më 28 prill, ndërsa interesimi i të rinjve pritet të jetë i lartë për këtë program që synon krijimin e elitës së ardhshme politike. (INA)

sqShqip