Komisioni i ekspertëve kushtetues i formuar nga Qeveria ende po kërkon zgjidhje nëse studentët shqiptarë do të mund ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Kryeministri Hristijan Mickoski nuk i zbulon emrat e ekspertëve që janë pjesë e komisionit.

Më herët, zëvendëskryeministri Bekim Sali në një intervistë për Alsat theksoi se ky komision do të përbëhet nga ekspertët që kanë punuar në Ligjin për Përfaqësim të Drejtë.

“Kur të arrijmë një zgjidhje, do t’i bëjmë të ditur edhe emrat dhe natyrisht edhe vetë zgjidhjen”, deklaroi Mickoski.

Deri tani, vetëm Jeton Shasivari ka pranuar publikisht se është pjesë e Grupi Punues për provimin e Jurisprudencës.

Në një shkrim autorial të tij të publikuar në Ina Online, Shasivari thotë se “roli im brenda grupit të punës kërkon një nivel neutraliteti dhe kolegjialiteti profesional për të siguruar një dialog funksional me kolegët e mi të nderuar maqedonas…”.

Megjithatë, edhe pse nuk është zyrtare, burime të gazetës KOHA thonë se në këtë Grup është diskutuar edhe emri i Karakamishevës, autores së Ligjit për përfaqësimin e drejtë.

sqShqip