Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë për dekada mbështetësi kyç i shqiptarëve në Ballkan, nga ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, te Marrëveshja e Ohrit dhe konsolidimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Ky raport nuk ishte vetëm strategjik, por edhe politik, i reflektuar në komunikim të vazhdueshëm me partitë shqiptare, veçanërisht me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), si aktori dominant për më shumë se dy dekada.
Por zhvillimet e viteve të fundit sugjerojnë se ky raport nuk është më i njëjtë.
Takimet e rralla, një indikator i ftohjes së raportit
Në të kaluarën, takimet mes liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe përfaqësuesve të diplomacisë amerikane kanë qenë të shpeshta dhe publike. Megjithatë, në vitet e fundit, ky komunikim duket dukshëm më i reduktuar.
Kohë së fundit takimet e Ahmetit me diplomatë amerikanë janë shumë të rralla në krahasim me periudhën para vitit 2020. Konkretisht, nga viti 2022 e këndej, Ahmeti ka zhvilluar vetëm një takim me ambasador amerikan, edhe atë një takim lamtumire që ish-ambasadorja Angela Aggeler e praktikoi me të gjithë faktorët politikë. Pra, për 4 vjet, vetëm një takim publik mes kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti dhe një ambasadori amerikan.
“Non grata”: goditja më e rëndë ndaj kredibilitetit
Një nga faktorët më të rëndësishëm që ka ndikuar në këtë raport është përfshirja e emrave të lidhur me BDI-në në listat e sanksioneve amerikane.
Artan Grubi, ish-zëvendëskryeministër nga radhët e BDI-së, u vendos në listën e zezë të SHBA-ve për korrupsion në vitin 2024. Ai u akuzua për ndikim në procese gjyqësore përmes ryshfetit dhe ndërhyrjes politike. Lista përfshiu edhe gjyqtarë të lidhur me raste të ndjeshme politike.
Më herët, kryetari i Strugës Ramiz Merko, figurë e rëndësishme e BDI-së, u shpall “non grata” nga SHBA-ja për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve publike. Përkundër listës së zezë, Ahmeti vazhdoi t’i mbante afër vetes këta figura.
Sanksionet amerikane, edhe pse formalisht individuale, në praktikë ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin për partitë politike që përfaqësojnë këta individë.
Ripozicionimi: SHBA-ja mbështetet në partnerë të rinj
Në këtë kontekst, vërehet një zhvendosje e kujdesshme e diplomacisë amerikane drejt partnerëve të rinj shqiptarë.
Takimi i ambasadores amerikane me kryetarin e Tetovës dhe bashkëkryetarin e VLEN-it, Bilall Kasami, më 6 prill, është një indikator i qartë në këtë drejtim.
Nga ana tjetër, Ministri i Ekonomisë Besar Durmishi, i cili qëndroi në Uashington me delegacionin qeveritar për dialogun strategjik RMV-SHBA, zhvilloi takim të rëndësishëm me Christopher Landau, Zëvendës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së.
Raporti mes shqiptarëve dhe SHBA-së mbetet strategjik, por tashmë i mbështetur në figurat e reja të VLEN-it.

