Maqedoni

Diplomati i arrestuar në Serbi, Zaev: Duhet të mbrojmë qytetarët tanë

-Ne do të veprojmë sipas të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat i kemi pranuar dhe i kemi mbështetur, kështu kryeministri Zoran Zaev komentoi sot fillimisht arrestimin në Serbi të diplomatit Mile Milenkoski, shkruan Alsat. Zaev tha se nuk ka informata të detajuara në lidhje me rastin, por se duhet të respektohet e drejta ndërkombëtarë por edhe të mbrohet një shtetas i yni.

“Nuk i di me të vërtetë detajet dhe do të doja t’i dija. Do të pyes për shkaqet, që me siguri do t’i marr nga MPB, respektivisht për atë çfarë ka ndodhur. Është normale që vend që është në zhvillim normal dhe që respekton ligjet, marrëveshjet dhe klauzolat ndërkombëtare të veprojmë në përputhje me to, por gjithsesi bëhet fjalë për një qytetarë tonë dhe duam që të dimë të gjitha aktet juridike, sepse mbi gjitha duhet të mbrojmë qytetarët tanë, por duhet ta mbrojmë edhe ligjin dhe të drejtën ndërkombëtare”, deklaroi Zaev.