Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, i ka dërguar një letër urimi znj. Albulena Haxhiu për marrjen e detyrës si ushtruese e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës. Në mesazhin e saj, Sinani shpreh mbështetje dhe besim në angazhimin e Haxhiut për forcimin e institucioneve dhe përkushtimin ndaj qytetarëve, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të kujdesit institucional ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në vijim, letra e plotë:
⸻
E nderuara znj. Albulena Haxhiu,
Në emër të Komunës së Preshevës dhe në cilësinë time si Kryetare e Komunës, ju shpreh urimet më të sinqerta për marrjen e detyrës si ushtruese e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës.
Ju uroj suksese në ushtrimin e kësaj përgjegjësie të lartë shtetërore, me besim të plotë se përkushtimi dhe angazhimi juaj do të jenë në shërbim të qytetarëve dhe të forcimit të institucioneve demokratike.
Njëkohësisht, shpreh bindjen se gjatë ushtrimit të mandatit tuaj do të vazhdojë vëmendja dhe përkushtimi institucional ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, me qëllim të avancimit të të drejtave, përmirësimit të kushteve të jetesës dhe fuqizimit të lidhjeve tona të përbashkëta kombëtare.
Me respekt,
ARDITA SINANI
Kryetare e Komunës së Preshevës

