Kolumna

Servilët, poltronistët dhe konformistët sa më larg institucioneve të shtetit të Kosovës

Fadil Maloku
1. Që fillim duhet cekur faktin se mekanizmi i vetëkontrollit social në momentet kur projektohet në rrafshin e qytetarisë, pra një komuniteti të organizuar mirë dhe tejet të vetëdijshëm në kërkesat e veta sublime dhe synimet afatgjata, mund të bëhet realisht një armë shumë e fuqishme në largimin – apo të paktën margjinalizimin – e servilëve, poltronistëve dhe konformistëve nga të ushtruarit e rolit të “avokatit” të shtet(sisë)it të Kosovës… Por, ky projekt vetëdijesues për rolin e vetvetes sonë të gjendur në këtë vorbull dhe kaos të shfrenuar, e që është duke ndodhur në pothuajse të gjitha sferat e jetës sonë shoqërore, sociologjikisht ka nevojë për promovimin e një gjenerate të re liderësh, e cila nuk do të vuante më nga hipotekat dhe ngarkesat e imitimit me të tjerët, por që do të provojë të gjykojë me vlerat dhe kutet e veta të margjinalizuara nga polronistët dhe servilët e shtetit të tanishëm (që nga paslufta e këndej).

2. Gjithë kësaj “arkitekture”, kur t’i shtohen edhe amalgimi me vlerat e njëmendta që në botën e civilizuar demokratike perëndimore kanë dëshmuar qëndrueshmërinë e vet sociale e kulturore, atëherë mund të themi se jemi në binarë të shëndosh të ndërtimit të një shoqërie me cilësi demokratike. Këtu, ne s’kemi nevojë të zbulojmë ujët e nxehtë, ngaqë këtë e kanë bërë të tjerët para nesh! Ajo çka ne duhet të bëjmë si qytetarë ka të bëjë me riorganizimin tonë dhe rimëkëmbjen që duhet të ndodhë në sferën morale, një sferë kjo që në shoqërinë kosovare gjatë gjithë periudhës së pasluftës është lënë në periferi të angazhimeve tona sociale e kulturore.

3. Kujtoni vetëm për një çast; hajninë e paskrupullt të votave të qytetarëve; milionerët e pasluftës që mbinë si kërpudhat; që blenë djersën e disa gjeneratave të mëparshme për një copë bukë; skllavërinë sociale e ekonomike të njerëzve që sakrifikua çdo gjë për këtë vend dhe këtë shtet e që tani po e menaxhojnë në emër të një “patriotizmi qytetar. Përkujtoni për çdo ditë lajmet ku në faqe të para mediokriteti promovohet si vlerë, rrenacaku si njeri më i respektueshëm, krimi i organizuar si diçka e rëndomtë, korrupsioni si nevojë dhe detyrim, mashtrimi si sukses, liria si mjet i robërisë suaj të re, dhe… ju do vini në një gjykim logjik se çfarë duhet ndryshuar në këtë vend…