Ministria e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut sot i shpalosi para publikut 17 veturat e para të llojit “Stryker” që arritën për ushtrinë e vendit pas kontratës së blerjesë nga SHBA-të.
Në ceremoninë e prezantimit të tyre në kazermën në Petrovec ishte edhe Kryeministri Hristijan Mickoski dhe Ambasadorja amerikane në detyrë Nicole Varnes.
“Kjo do të thotë shumë për ne, përmirëson efikasitetin operativ praktikisht, rrit lëvizshmërinë e vetë ushtrisë dhe në atë mënyrë bëhemi më konkurrues krahasuar me ushtritë e tjera,” tha Mickoski në ceremoni.
“Ne si qeveri do të vazhdojmë që të investojmë në ushtrinë tonë Maqedonase në të ardhmen, e vlerësojmë që kjo është shumë e rëndësishme, duam të kemi pajisje krejtësisht të reja moderne, sigurisht brenda mundësive buxhetore dhe të gjitha atyre kritereve që kërkohen deri në vitin 2032 të përmbushen nga ne, ajo që tani është një minimum, ne jemi shumë mbi atë minimum dhe jemi në ato vende që investojnë më shumë se ai minimum që deri më tani ishte 2% e PBB-së, ndryshe nga disa vende të tjera që ende nuk e kanë arritur atë minimum,” tha më tutje ai.

