Kosovë

Aksidenti tragjik në Kroaci, gjykata merr vendim për shoferin nga Kosova

Shoferit kosovar të autobusit që po shkonte nga Frankfurti për në Prishtinë, i arrestuar në Slavonski Brod të Kroacisë, i është vazhduar masa e paraburgimit për dy muaj.

Lajmin e ka konfirmuar avokati i tij, Igor Cisper, i cili tha se vendimi u ndërmor nga gjykata për shkak të mundësisë së arratisjes së shoferit kosovar, shkruan mediumi kroat ’24 Sata’, përcjell Gazeta Express.

Mediumi ka kontaktuar avokatin Cisper, i cili njoftoi se i ofroi garanci gjykatës një shumë prej rreth 15 mijë euro për mos-arratisjen e shoferit kosovar. I njëjti deklaroi se klienti i tij nuk po ndihet mirë.

“Ne ofruam garanci prej 100,000 kuna (13,300 euro) por gjykata nuk e pranoi shumën. Klienti im bisedon me familjen e tij në Kosovë çdo ditë, por nuk është aspak të mirë”, tha ai.

I njëjti tha se janë në pritje të një ekspertize të trafikut, në mënyrë që të vërtetohen më tutje faktet.

Në autostradën e Slavonski Brodit, autobusi që po vinte nga Gjermania dhe destinacion kishte Kosovën, pësoi vetaksident, ku mbetën të vdekur 10 kosovarë dhe 45 prej tyre pësuan lëndime trupore.