Pak qytetarë e përdorin transportin publik në Tetovë, u vu në funksionim 2 javë më parë
Edhe pse dy javë më parë filloi të funksionojë transporti urban në Tetovë, ai ende shumë pak përdoret nga qytetarët.
Udhëtarët thonë se me autobusë mbërrijnë më shpejtë aty ku dëshirojnë. Megjithatë kërkojnë që autobusëve t’u vendosen numra në mënyrë që ta dinë rutën e lëvizjes.
“Unë për vete e shfrytëzoj gati një javë, por diçka që s’më pëlqen është ajo që autobusët duhet t’i ndajnë me numra se ku e ka fiks destinacionin. Për momentin është mirë, por duhet edhe më shumë autobusë”.
“Po është më mirë për të arritur diku, por vetëm pak orari duhet rregulluar. Më shumë e përdorim për të shkuar deri ku duam sepse më shpejtë udhëtohet me autobusë”.
“Për të shëtitur më shumë e përdori ose për të mbërrij në kurs ose diçka, dhe më pëlqen ky sistem se shumë më shpejt mbërrij me autobus”.
Vozitësit thonë se edhe më tej kanë pengesa dhe lëvizja e tyre nuk është e lirë nëpër qytet.
“Pengesat, edhe afro dy javë pas fillimit me punë të transportit urban, nuk janë evituar ende. Parkimet vend e pa vend janë të parat që pamundësojnë lëvizjet e rehatshme të autobusëve, ndërkohë që pengojnë edhe tek stacionet, këta pengesa të rrugës të cilat, duhet eliminuar që të mund autobusët të hyjnë dhe të dalin lirshëm. Vozitësit kërkojnë edhe prerjen e pemëve anësore të rrugëve sepse pengojnë dhe thyejnë xhamat e autobusëve”.
“Shumë problem e kemi me veturat që parkohen kamos dhe nuk mund as të hyjmë edhe tek stacionet. Tek stacionet duhet të hiqen ato kunjat se pengojnë shumë, shumë ngushtë është”.
Gazetari: Sa janë mësuar banorët me transportin, sa e përdorin autobusin?
“Shumë pak ende shumë pak”.
Kreu i këshillit të komunës së Tetovës, i cili bëri xhiron bashkë me ekipin e televizionit Alsat, thotë se, nga një shtatori, do të eliminohen shumica e pengesave. Ankohet nga policia se nuk e kryen si duhet punën e tyre.
“Mundohemi që ti rregullojmë edhe punët tjera teknike siç janë oraret pengesat stacionet e kështu me radhë. Ndërmarrja ka caktuar edhe pikat linjat se cili autobus kah do lëviz, që të jetë sa më e lehtë lëvizja e qytetarëve në kryerjen e punëve. Edhe biletat janë paraparë që ato të shiten në më shumë pika nëpër qytet. Nga fillimi me punë i ndërmarrjes kam cek se shumë institucione duhet të kontribuojnë, ndër ta është edhe policia e qytetit dhe shfrytëzoj rastin që edhe një herë t`iu apeloj që të jenë më aktiv në këtë proces që të mos ketë pengesa”- deklaroi Bekim Memeti, Kryetar i këshillit komunal Tetovë.
Përndryshe, për momentin në funksion janë vetëm tre autobusë dhe qarkullojnë në vetëm dy linja, nga Stacioni kryesor deri tek UEJL, dhe nga stacioni kryesor, deri tek Stadiumi i qytetit dhe anasjelltas. Vozitja deri në 30 shtator do të jetë falas, ndërsa nga shtatori, për lëvizje me autobus urban, banorët do duhet të paguajnë 20 denar, ndërsa bileta mujore do të shitet për 300 denarë.