Maqedoni

Carovska: Po shqyrtohet kërkesa e komunës së Tetovës për shtyrje të mësimit

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska, është pyetur në lidhje me kërkesën e komunës së Tetovës, që viti i ri shkollor të shtyhet për tre javë, për shkak situatës me koronavirusin.

Ajo tha se janë në koordinim me autoritetet e komunës së Tetovës, dhe se kërkesa e tyre është duke u shqyrtuar në Komisionin për sëmundje Infektive.

“Po, gjithsesi se jemi në koordinim me kryetaren e Tetovës. Këtë mëngjes ka pasur takim Komisioni për sëmundje infektive dhe menjëherë sa të marrim instruksione ose mendim nga Komisioni më vonë do të vazhdojmë me komunikime me Tetovën, më tej gjitha vendimet duhet të kalojnë në Shtabin Koordinativ dhe në Qeveri dhe për këtë shkak mendoj se gjithçka tjetër do të ishte spekulim. Për momentin është kjo se po shqyrtohen kërkesat e tyre dhe po bisedohet në Komisionin për Sëmundje Efektive”, ka thënë Carovska.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme në mbledhjen e Shtabit koordinues në Tetovë u kërkua shtyrja e fillimit të mësimit me prezencë fizike për tre javë, ndërsa në atë kohë të bëhet imunizimi i mësimdhënësve. Pas datës 21, kërkohet që mësimdhënësit që nuk janë të imunizuar, çdo 72 orë të paraqesin testet PCR, ndërsa shpenzimet do t’i bartin vet mësimdhënësit.