Reagim nga kryetari i Tearcës Daut Memishi
Dua të njoftoj të gjithë banorët e Komunës së Tearcës se, duke filluar nga dita e sotme, llogaria e komunës është bllokuar si pasojë e borxheve të papaguara ndaj kompanive që kanë kërkesa financiare ndaj institucionit tonë. Përveç borxhit kryesor ndaj furnitorëve, borxhi i komunës së Tearcës është rritur edhe për shpenzimet ndaj përmbaruesve dhe kamatat mbi borxhin bazë.
Me keqardhje të thellë, duhet të theksoj se kjo gjendje është rezultat i menaxhimit të papërgjegjshëm (por me vetëdije) ndër vite nga drejtuesit e mëparshëm, të cilët e kanë zhytur komunën në borxhe të shumta, pa menduar për pasojat dhe barrën që do t’u lihej qytetarëve.
Kjo situatë nuk është vetëm një problem financiar, është një padrejtësi ndaj çdo qytetari të Tearcës që meriton një qeverisje të ndershme dhe të përgjegjshme.
Megjithatë, pavarësisht vështirësive, unë besoj fuqishëm se së bashku do ta kapërcejmë këtë sfidë. Komuna nuk i përket individëve, por qytetarëve të saj, dhe me përkushtim, transparencë dhe punë të ndershme, do ta rikthejmë stabilitetin dhe besimin që i takon.
Do të jemi të hapur dhe të sinqertë në çdo hap të këtij procesi, sepse ju meritoni të dini të vërtetën dhe të jeni pjesë e zgjidhjes.
Së bashku, do ta kalojmë edhe këtë sfidë.

