Institutit të Hifzit “Ismail Efendiu” në Shkup i është shtuar edhe një hafiz i ri gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, periudhë në të cilën filloi shpallja e Kuranit Famëlartë.

Të enjten, më 12 mars 2026, në ambientet e institutit, nxënësi Hamza Neziri përfundoi me sukses memorizimin e plotë të Kuranit, duke arritur kështu një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e tij fetar dhe arsimor. Ky sukses u realizua nën mbikëqyrjen dhe udhëzimin e përgjegjësit të institutit, hafizit Xhemail Nuhiju, si dhe muhafizit hafiz Jashar Ibrahim.

Në emër të Myftiut të Shkupit, dr. Qenan ef. Ismaili, të pranishmit i përshëndeti referenti i Myftinisë së Shkupit, hafiz Irfan Sulejmani, i cili mbajti edhe një fjalë rasti për rëndësinë dhe vlerën e hifzit, duke përgëzuar hafizin e ri, muhafizët dhe familjen e tij për përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme.

Nga Instituti i Hifzit theksojnë se ky sukses është rezultat i përkushtimit, vullnetit dhe punës së palodhur të hafizit të ri, i cili gjatë gjithë rrugëtimit është mbështetur fuqishëm nga familja e tij.

Sipas njoftimit, në periudhën në vijim hafizi i ri do të vazhdojë me përsëritjen e plotë të Kuranit dhe përgatitjen për dhënien e provimit para Komisionit të Hifzit pranë Myftinisë së Shkupit.

sqShqip