Është ngritur aktakuzë për dhunë dhe nxitje të vetëvrasjes ndaj Stojançe Jovanovskit, bashkëshorti i 31-vjeçares Ivana, e cila së bashku me vajzën e saj gjashtëvjeçare u hodh nga ballkoni në lagjen Karposh. Prokuroria ka kërkuar që t’i vazhdohet masa e paraburgimit. Më 2 mars, në disa lokacione në Shkup, Jovanovski e ka goditur Ivanën me grushte dhe shuplaka, në një moment ajo ka humbur ndjenjat.

“Po atë ditë, në parkingun pas Gjykatës Themelore Penale Shkup, i akuzuari i ka drejtuar kërcënime serioze të dëmtuarës se do ta rrezikojë jetën dhe trupin e saj, duke i shkaktuar ndjenjë pasigurie, rreziku dhe frike. Sipas provave të siguruara, i akuzuari për një periudhë të gjatë ka trajtuar në mënyrë mizore dhe çnjerëzore të dëmtuarën, e cila ndaj tij ka qenë në pozitë varësie faktike dhe ekzistenciale. Për shkak të këtij trajtimi, më 2 mars ajo kreu vetëvrasje, e cila mund t’i atribuohet neglizhencës së të akuzuarit” – PTHP Shkup

I akuzuari ka dhunuar viktimën ditën e tragjedisë
I akuzuari ka trajtuar në mënyrë çnjerëzore viktimën
Pas presionit, Ivana i kishte dorëzuar pjesën e saj të banesës ku jetonin së bashku me vajzën, ndërsa ajo dhe fëmija duhej të vazhdonin të jetonin aty. Dhuna psikike dhe fizike kishte vazhduar. Ditën kritike, Ivana u keqtrajtua fizikisht në disa vende në Shkup dhe u kthye në banesë me vajzën e saj të mitur për të mbledhur robat dhe për të ikur. Stojançe kishte dashur të ngjitej edhe ai në banesë, por u pengua nga një dëshmitar i ngjarjes.

“Por keqtrajtimi e kishte sjellë të dëmtuarën në gjendje të rëndë shqetësimi psikik, frike, dëshpërimi dhe ndjenjë pa rrugëdalje, dhe ajo pa mundur të kontrollojë veprimet e saj, kreu vetëvrasje duke u hedhur nga ballkoni i katit të gjashtë së bashku me fëmijën e mitur”- PTHP Shkup.

Keqtrajtimi çoi të dëmtuar në vetëvrasje
Dhuna fizike dhe psiqike ndaj Ivanës ishte denoncuar shumë herë në polici jo vetëm nga vetë ajo por edhe nga fqinjët dhe të afërm të tjerë. /alsat.mk

sqShqip