Shtetet e Bashkuara kanë testuar një raketë balistike ndërkontinentale Minuteman III, e aftë të mbajë koka bërthamore deri në 20 herë më të fuqishme se bomba atomike e hedhur mbi Hiroshimë, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të rriten.
Testi u krye në Vandenberg Space Force Base në Kaliforni, pranë Santa Barbara. Raketa, e cila ishte e paarmatosur, u lëshua gjatë natës dhe përshkoi mijëra kilometra përpara se të godiste objektivin e paracaktuar pranë atollit Kwajalein në Ishujt Marshall, në Oqeanin Paqësor.
Sipas deklaratës së US Space Force, qëllimi i testimit ishte të verifikohej efektiviteti, gatishmëria dhe saktësia e sistemit të raketave.
Komandantja e skuadrës së testimit, nënkolonelja Karrie Wray, tha se lëshimi i raketës i lejoi ekspertët të vlerësojnë performancën e komponentëve individualë të sistemit dhe të mbledhin të dhëna të rëndësishme për funksionimin e tij.
Raketa Minuteman III është një nga shtyllat kryesore të “triadës bërthamore” të SHBA-së, e cila përfshin aftësinë për të lëshuar armë bërthamore nga toka, deti dhe ajri.
Autoritetet amerikane theksuan se testi nuk lidhet me zhvillimet aktuale në botë, megjithëse u krye në një moment kur konflikti në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar dhe operacionet ushtarake amerikane kundër Iranit vazhdojnë.
Ndërkohë, sipas zyrtarëve amerikanë të mbrojtjes, konflikti mund të zgjasë edhe deri në tetë javë, ndërsa Irani vijon të ketë kapacitete për të kryer sulme me raketa edhe pse SHBA përpiqet të kontrollojë hapësirën ajrore të vendit.

