Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të hapur procedurë për emrat e rrugëve në Tetovë, sipas historianit Muzafer Bislimi nuk është formal, por politik. Sipas Bislimit, rrugët asokohe janë emëruar me konsensus të partive shqiptare dhe maqedonase.

“Po të ishte atë vit ose vitin e ardhshëm do të ishte një gjë formale, mirëpo kjo punë të bëhet gati se 20 vite më vonë, thjeshtë mund ta konstatojmë si një provokim që bëhet ndaj shqiptarëve sepse sa e di unë ato rrugë janë emëruar dhe riemëruar me parimin e badinterit, me vendim të Këshillit të Komunës dhe nuk ka pasur asnjë kundër”, tha Muzafer Bislimi, Historian.

Çështja me emrat, Bislimi thotë se mund të nxitë tensione, ndërsa rikthen kujtesën në kohërat e errëta të shekullit të kaluar ku shqiptarët detyroheshin të përdorin toponime maqedonase.

“Të ngrihet një iniciativë e tillë, besoj se është një matje e pulsit të shqiptarëve dhe një tensionim edhe më tej të situatës e cila faktikisht, na përkujton kohën e para viteve 90 kur shqiptarët ishin të detyruar që toponimet dhe i kemi dëgjuar të gjithë lajmet e televizioneve shtetërore ku Shkupit, çdoherë i thoshin Skopje, ishte një kulminacion i mohimit të gjuhës shqipe”, u shpreh Muzafer Bislimi, Historian.

Të njëjtën gjë e kërkon edhe Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste, respektivisht emrat e rrugëve në shqip duhet të përkthehen dhe të kenë kuptim maqedonas, si për shembull për “Kongresin e Manastirit” – “Bitollski Kongres” ose për “Dëshmorët e Kombit” “Padnati boreci na nacijata”. Këtë e kërkojnë nën arsyetimin e Ligjit për Gjuhën Maqedonase e cila urdhëron shmangien e përdorimit të shprehjeve të huaja.

sqShqip