Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar Epopenë e Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), duke e cilësuar sakrificën e familjes Jashari si ngjarjen më të rëndësishme të historisë bashkëkohore të Kosovës.

Në mbledhjen solemne të Qeverisë të enjten, Kurti ka thënë se qëndresa e familjes në Prekaz në mars të vitit 1998 përfaqëson një kthesë vendimtare në vetëdijen kombëtare dhe në bashkimin e shqiptarëve drejt lirisë dhe pavarësisë.

Sipas tij, përballja e familjes Jashari me forcat serbe ishte jashtëzakonisht e pabarabartë, por me domethënie të madhe historike.

“Në analet e historisë së Evropës vështirë se gjendet një rast kur një familje e vetme i bën rezistencë një shteti okupator. Edhe pse familja Jashari ishte e rrethuar nga mijëra forca të pajisura rëndë, ata luftuan dhe qëndruan deri në fund, duke dhënë jetën për lirinë e të gjithëve”, u shpreh Kurti.

Ai theksoi se vendimi i familjes për të mos u dorëzuar dhe për të qëndruar së bashku pranë komandantit legjendar Adem Jashari e bëri këtë ngjarje të pavdekshme në historinë shqiptare.

Kurti shtoi se në atë kohë gratë dhe fëmijët e familjes zgjodhën të mos ndaheshin nga kryekomandanti, duke qëndruar së bashku nga bindja se liria kërkon sakrificë. Sipas tij, kullat e familjes u shndërruan në fortesë, ndërsa Prekazi në simbol të kryengritjes popullore.

Ai theksoi gjithashtu se pas kësaj ngjarjeje lufta në Kosovë mori një kahje tjetër, rriti mobilizimin për të qenë pjesë e UÇK-së dhe çështja e Kosovës fitoi më shumë vëmendje ndërkombëtare dhe rriti

Kurti rikujtoi deklaratën e Rifat Jasharit se “familja humbi 56 anëtarë, por fitoi zemrat e miliona shqiptarëve”.

Në fund, Kurti theksoi se institucionet po punojnë që historia e kësaj sakrifice të dokumentohet, të ruhet dhe të përcillet te brezat e ardhshëm në Kosovë dhe në mërgatë.

Më 5, 6 dhe 7 mars 1998, forcat serbe rrethuan dhe sulmuan kompleksin e kullave të familjes Jashari në Prekaz. Pas tri ditësh luftime, u vranë 56 anëtarë të familjes.

sqShqip