Pentagoni: 5 deri në 10 mijë amerikanë ende ndodhen “në afërsi të Kabulit”
Departamenti amerikan i Mbrojtjes (Pentagon) njoftoi se parashikohet që në afërsi të kryeqytetit të Afganistanit, Kabul, ndodhen ende 5 deri në 10 mijë amerikanë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, në një deklaratë për televizionin CNN tha se “Kategorikisht mendojmë se ka mijëra amerikanë. Nuk kemi një shifër të saktë. Mund të them se në afërsi të Kabulit parashikimi më i mirë është se ndodhen 5 deri në 10 mijë”.
Kirby informoi se Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar një mesazh që rekomandon amerikanët se si të hynë në radhë dhe të shkojnë në aeroport.
Duke i drejtuar të gjithë amerikanët që presin në Afganistan drejt aeroportit ndërkombëtar “Hamid Karzai” në Kabul, zëdhënësi Kirby tha se “Mund të fillojnë të lëvizin në aeroport për të kryer procedurat e fluturimit”.
Zëdhënësi i Pentagonit më parë kishte njoftuar se evakuimi nga Kabuli do të vazhdojë deri më 31 gusht.
Procesi i dominimit të talebanëve në vend
Në kuadër të marrëveshjes së paqes të arritur në shkurt 2020 mes SHBA-së dhe talebanëve, këtë vit filloi procesi i tërheqjes së forcave ndërkombëtare nga Afganistani.
Teksa marrëveshja parashikon që forcat e huaja të mos sulmohen, ajo nuk parashikon ndonjë dispozitë në lidhje me veprimet e talebanëve ndaj forcave afgane të sigurisë.
Talebanët të cilët vazhdojnë negociatat në Doha me qeverinë afgane, me sulme të ashpra të ndërmarra në mënyrë të njëkohshme që nga qershori dominuan me shpejtësi shumë rajone dhe qendra provinciale në Afganistan.
Duke rrethuar kryeqytetin Kabul, talebanët morën kontrollin e qytetit pa konflikt pasi presidenti Ashraf Ghani u largua nga vendi më 15 gusht.